back to top
17.5 C
Tirana
E hënë, 3 Shkurt, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaNga dypunësimi te rritja e pragut/ Në 5 vite ndryshimet e DIVA-s...

Nga dypunësimi te rritja e pragut/ Në 5 vite ndryshimet e DIVA-s shtuan 127 mijë deklarues

Nga viti 2019 ku për herë të parë për deklarimin e DIVA-s u përfshinë edhe të dypunësuarit me të ardhura deri në 2 milionë lekë deri në ndryshimet e 2024-s me uljen e pragut, numri i individëve që deklarojnë të ardhurat vjetore ka ardhur në rritje të vazhdueshme.

Janë rreth 127,5 mijë individë të rinj të shtuar për detyrimin e plotësimit të deklaratës vjetore të të ardhurave për periudhën 2019-2024.

Shtimi i deklaruesve të rinj ka ardhur si rezultat i ndryshimeve ligjore të ndërmarra në vitin 2019, ku detyrimin për plotësimin e DIVA për herë të parë e kishin edhe kategoria e të dy punësuarve dhe në vitin 2024, ku kufiri ndryshoi nga 2 milionë lekë në vit në 1,2 milionë lekë.

Në vitin 2020, për herë të parë detyrimin e deklarimit të të ardhurave vjetore DIVA e kishin të gjithë të dy punësuarit, pavarësisht nivelit të të ardhurave, si rrjedhojë e disa ndryshimeve ligjore për tatimin mbi të ardhurat, që hynë në fuqi në janar 2020 dhe u zbatuan për herë të parë për pagat e përfituara gjatë 2020-s.

Ndryshimet parashikonin se paga, ndonëse ishte marrë në dy apo më shumë vende pune, do të llogaritej si një e vetme dhe do të tatohet si e tillë dhe individi do të jetë i detyruar që të paguajë diferencën shtesë që del nga rillogaritja.

Ky ndryshim ligjor ndikoi në rritjen e numrit të deklaratave të plotësuara. Për vitin 2019 sipas të dhënave të marra nga “Strategjia Afatmesme e të Ardhurave (SAA) në Republikën e Shqipërisë për periudhën 2024-2027”, rezultoi se deklarata DIVA ishte plotësuar nga 13,553 individë me të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë.

Në vitin 2020, tatimet bënë të ditur nga lista e dy punësuarve që duhet të deklaronin DIVA 2020, numri i deklaruesve është 38,983. Pra në total për vitin 2020 deklaruan për herë të parë të ardhurat vjetore rreth 39 mijë të dypunësuar.

Në vitin 2023 deklarata vjetore e të ardhurave u dorëzua nga rreth 74 mijë individë. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaroi më herët se për 2023 , DIVA u deklarua përkatësisht nga 24,224 individë me të ardhura vjetore bruto mbi 2 milionë lekë dhe 49,566 ishin individë të dy punësuar. Në total numri i deklaruesve krahasuar me 2019 u rrit me 60,477 individë të rinj.

Në 2024, bazuar në ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat” pritet sërish një zgjerim të individëve të cilët do duhet të plotësojnë DIVA, pasi kufiri për deklarimin e të ardhurave vjetore ndryshoi nga 2 milionë që ishte në 1,2 milionë lekë në vit.

Për DIVA-n e 2024, që afati i deklarimit është deri më 31 Mars 2025, sipas Drejtorisë së Përgjithshme pritet të plotësohet në total nga 141 mijë individë. Krahasuar me deklarimet e 2023it, numri i deklaruesve të rinj llogaritet të shtohet në 67 mijë individë.

Ndërsa krahasuar me deklarimet e 2019 (periudhë ku u miratuan ndryshimet ligjore për përfshirjen për herë të parë në DIVA të dypunësuarve dhe nisën zbatimin 2020) deri në deklarimet e pritshme të 2024-s (periudhë kur hyri në fuqi ulja e pragut dhe afati i dorëzimit të tyre është deri më 31 mars), rezultojnë rreth 127,5 mijë deklarues të rinj.

Në DIVA përfshihet deklarimi i të ardhurave bruto, si: Të ardhurat bruto nga marrëdhëniet e punësimit ose të ngjashme me to; të ardhura bruto nga dividendi; të ardhura bruto nga qiraja;

Fitimet kapitale të realizuara nga skemat e sigurimit të jetës, kthimi i investimit nga skemat e pensionit privat; Fitime kapitale nga tjetërsimi i pasurisë së paluajtshme; Të ardhura bruto nga interesat bankare;

Fitimi kapital i krijuara nga investimet në tituj apo nga pasuri të paluajtshme sipas germës a, pika 2 e nenit 5; Të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licenca, të drejta ekskluzive dhe pasuri të tjera që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike; Shuma bruto të fituara nga lotari apo lojëra të tjera të fatit; fitime kapitali nga dhurimi; Fitime kapitali nga trashëgimia;

Të ardhura nga nxjerrja apo përfitimi i mjeteve virtuale; Të ardhurat nga transaksionet me mjetet virtuale; Të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, si dhe të të ardhura të tjera bruto të papërmendura më lart./Monitor

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat