Sot është dita e fundit e seancës plenare përpara zgjedhjeve të 11 majit. Pas zgjedhjeve parlamenti rimblidhet në komisione dhe seancë për të përfunduar punimet më 30-31 korrik 2025.
Legjislatura aktuale, sipas edhe raporteve periodike të ISP-së, ka shfaqur dobësi të ndjeshme në aspektin e cilësisë së jetës parlamentare, nivelit të angazhimit, si dhe rolit kushtetues të Kuvendit.
Incidentet e shumta, përjashtimet kolektive, retorika e ashpër, mungesa e zërave kundër, ligjet e porositura, abuzimi me postin, mungesa e transparencës dhe e llogaridhënies, si dhe kriza e besimit te parlamenti, ishin dukuri dhe tipar edhe i sesioneve parlamentare të vitit 2024.
Pavarësisht problematikave dhe tipareve kritike të cituara më lart, ka pasur dhe ka deputetë që ndonëse në minorancë numerike, kanë bërë dallime cilësore në ushtrimin e funksionit parlamentar. Disa prej tyre kandidojnë në zgjedhje dhe ISP shpreson e uron që të rizgjidhen, (referuar klasifikimeve të nivelit të efikasitetit në raportet periodike të ISP).
Partitë kanë zyrtarizuar kandidatët për zgjedhjet parlamentare dhe tashmë dihen deputetët që nuk kandidojnë (në lista të mbyllura ose të hapura).
Midis tyre Instituti i Studimeve Politike veçon dhe vlerëson për bashkëpunimin korrekt dhe pjesëmarrjen në aktivitetet tona me mendimin dhe kontributin e tyre, sidomos deputetët, të cilët për raste specifike janë cituar pozitivisht edhe në raportet tona të monitorimit.
1. Lavdrim Krashi (PS)
2. Zheni Gjergji (PD)
3. Petrit Vasili (PL)
4. Emilja Koliqi (PD)
5. Ilda Dhori (PD)
6. Sorina Koti (PD)
7. Denis Deliu (PS)
8. Pranvera Resulaj (PS)
9. Eduard Ndreca (PS)
10. Eralda Bano (PD)
11. Agron Duka (PAA)
Nga pjesa tjetër që nuk kandidojnë, pjesa më e madhe e tyre nuk kanë pasur “gjurmë” kontributi parlamentar, nuk kanë qenë aktiv dhe as përfaqësues ose kanë shërbyer me besnikëri në linja partake pa ofruar kontribute pozitive parlamentare/publike.