Një nga pesë rekomandimet prioritare të ODIHR/OSBE 2021 ishte kërkesa që Shqipëria duhet të sigurojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve në përputhje me Kushtetutën.
Institucionet përkatëse duhet të hetojnë dhe sanksionojnë plotësisht çdo shkelje që ndikon në besimin e publikut në zgjedhje. Rekomandimi ishte përgjigje për shqetësimet e ngritura nga keqpërdorimi masiv nga partitë i të dhënave personale në zgjedhjet e mëparshme.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025 ISP konstaton se:
• Partitë dhe media vijojnë të keqpërdorin të dhënat personale të qytetarëve,
• Sistemi i patronazhimit është aktiv dhe inkurajohet nga forcat politike,
• Ka presione ndaj shprehjes në komunikime private të preferencës elektorale,
• Ka retorikë denigruese ndaj tjetrit duke keqpërdorur të dhëna personale.
KQZ dhe IDP kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët sensibilizimi dhe paralajmërimi për mbrojtjen e të dhënave personale.
Komisioneri ka ngritur një grup pune që mbikëqyr sjelljen e partive politike në raport me përpunimin e ligjshëm të të dhënave personale.
Standardi i BE (Rregullorja GDPR) përcakton norma dhe mekanizma për mbrojtjen e të dhënave personale që Shqipëria duhet t’i jetësojë. Procesi elektoral 2025 duhet të reflektojë mësimet nga gabimet e të kaluarës dhe standarde më të larta zgjedhore. Fshehtësia e votës dhe liria e shprehjes së preferencave politike janë elementë thelbësorë.
Koha për standarde, për zgjedhje të lira dhe të barabarta!



