Emri i Ermir Ndreajt, i njohur ndryshe me pseudonimin “Cinco”, është bërë pjesë e listës së të arrestuarve në kuadër të aksionit të madh të ndërmarrë nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Ndreaj u ndalua nga forcat e Byrosë Kombëtare të Hetimit një natë më parë në Tiranë, ku edhe jetonte dhe ushtronte aktivitetin e tij si biznesmen. Sipas burimeve zyrtare, ai është një nga katër personat e vënë në pranga deri tani, së bashku me dy vëllezërit Artur dhe Ervin Hoxhosmani. Një tjetër person është arrestuar në Elbasan, por identiteti i tij nuk është konfirmuar ende.
Kush është Ermir Ndreaj?
Ndryshe nga të tjerët, Ndreaj nuk është një emër i panjohur për publikun shqiptar, por edhe për median ndërkombëtare. Në rrjetet sociale dhe në qarqet elitare të biznesit, ai njihej si pronar i disa prej lokaleve dhe restoranteve më të njohura në vend.
Ndreaj është pas themelimit të markës “Cinco Cavalli” në Durrës, një emër që lidhet drejtpërdrejt me pseudonimin e tij. Po ashtu, ai figuron si bashkëpronar apo administrator i restorantit luksoz “Savoy Garden” dhe i klinikes estetike “Clinique Cinq”, të dyja të vendosura në kompleksin “Delijorgji” në Tiranë – pikërisht aty ku një natë më parë u zhvilluan kontrolle nga agjentët e BKH-së.
Sipas burimeve, menaxhimi i këtyre bizneseve është kryer në bashkëpunim me partneren e Ndreajt.
Ende nuk ka një informacion zyrtar nga SPAK për rolin konkret të Ermir Ndreajt në aktivitetin kriminal që po hetohet, por burime pranë hetuesisë flasin për një rrjet të strukturuar dhe një hetim ndërkombëtar për pastrim parash dhe lidhje me trafikun ndërkombëtar të drogës.
Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që në ditët në vijim të zbardhen më shumë detaje për skemën ku dyshohet se është përfshirë Ndreaj dhe bashkëpunëtorët e tij.