back to top
16.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaNga Kolumbia në Angli: Si vepronte rrjeti i kokainës i goditur nga...

Nga Kolumbia në Angli: Si vepronte rrjeti i kokainës i goditur nga SPAK

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dhënë sot detajet e para zyrtare mbi operacionin e suksesshëm të zhvilluar një ditë më parë, i cili çoi në arrestimin e disa personave të përfshirë në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës.

Në njoftimin për shtyp, SPAK konfirmon se bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal, me shtrirje në disa kontinente, që kishte ngritur një mekanizëm të sofistikuar për trafikimin e lëndës narkotike nga Amerika Latine drejt Europës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“Ky grup kriminal vepronte kryesisht në trafikimin e kokainës nga Santa Marta (Kolumbi) dhe Ekuadori, e cila transportohej përmes kontejnerëve detarë drejt porteve të Anversit (Belgjikë), Rotterdamit (Holandë), si dhe përmes rrugëve tokësore drejt Francës e më tej përmes Channel Tunnel drejt Britanisë së Madhe”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Në disa raste, ngarkesat janë zbarkuar edhe në portet italiane dhe spanjolle, duke shtuar kompleksitetin e rrjetit logjistik të ndërtuar nga ky grup.

Dumani dhe Xholi: Grupi dëshmon aftësinë e shqiptarëve për të kontrolluar tregje ndërkombëtare droge
Dy prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Adnan Xholi, theksuan se grupi është një nga rastet më domethënëse që ilustron nivelin e ri të sofistikimit të grupeve kriminale shqiptare në trafikun ndërkombëtar të drogës.

“Struktura organizative e këtij grupi kriminal, me 16 anëtarë të identifikuar deri tani, me veprimtari të shtrirë në disa kontinente, dëshmon qartë aftësinë e grupeve shqiptare për të operuar në tregje kriminale ndërkombëtare dhe për të menaxhuar logjistikë të avancuar në transportin e kokainës”, deklaruan prokurorët.

Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese të disa vendeve europiane, përfshirë Belgjikën, Holandën, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, si dhe me mbështetje nga Europol dhe DEA.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat