back to top
33.5 C
Tirana
E mërkurë, 2 Korrik, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaNga korrupsioni te dhuna ndaj qytetarëve/ Shkeljet në rritje brenda Policisë

Nga korrupsioni te dhuna ndaj qytetarëve/ Shkeljet në rritje brenda Policisë

Rritja e ankesave të qytetarëve ndaj punonjësve të policisë është shndërruar në një shqetësim të shtuar për institucionet e mbikëqyrjes së rendit. Vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka marrë në shqyrtim 226 raste hetimi ndaj efektivëve të policisë, nga të cilat shumica lidhen me sjellje të pahijshme, shkelje të etikës dhe veprime të paligjshme gjatë ushtrimit të detyrës.

Sipas të dhënave që ABC News ka siguruar, 51 nga këto raste përfshijnë policë të nivelit të parë drejtues, pra kryekomisarë, komisarë dhe nënkomisarë, të cilët mbajnë funksione drejtuese në komisariate ose në sektorë të hetimit të krimeve.

168 policë të hetuar i përkasin nivelit zbatues, domethënë efektivë të zakonshëm të rendit që janë çdo ditë në terren dhe në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët.

Në listën e hetimeve nuk mungojnë as 3 raste ndaj punonjësve civilë të policisë, për të cilët po zhvillohen hetime administrative dhe penale nga AMP.

28 efektivë të Forcës Shqiponja nën hetim

Një vëmendje të veçantë ka marrë edhe Forca “Shqiponja”, njohur ndryshe si “shigjetat e Tiranës”. 10 ankesa të referuara nga qytetarët vetëm në 6 muajt e parë të vitit kanë sjellë hetimin e 28 efektivëve të kësaj strukture. Dy prej tyre janë drejtues të nivelit të parë, ndërsa 26 janë efektivë të thjeshtë.

Ndër akuzat që rëndojnë mbi këta punonjës renditen, jane“Kryerje e veprimeve arbitrare” – vepra penale më e përmendur, “Drejtimi i automjetit në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi”, “Plagosje e lehtë me dashje”, “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” si dhe “Kanosje” dhe “shkatërrim prone”.

Sipas të dhënave të AMP, 1 efektiv është arrestuar në flagrancë, ndërsa për 3 të tjerë është zbatuar masa e sigurisë “pezullim nga detyra”.

Situata e vitit aktual duket si vijimësi e trendit të evidentuar më herët. Gjatë vitit 2024, 163 efektivë të policisë u arrestuan në kuadër të 444 rasteve hetimore të nisura nga AMP në sektorë si Policia Kufitare, Rrugore, Hetimi i Krimit dhe Patrulla e Përgjithshme.

Shkeljet më të zakonshme të evidentuara ishin korrupsioni, shpërdorimi i detyrës si dhe lidhje të dyshuara me grupe kriminale.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat