Fotografia e parë e presidentit venezuelian Nicolas Maduro, që nga momenti i kapjes së tij nga forcat amerikane, është publikuar nga media venezueliane WRadio.
Në imazh, Maduro shfaqet i prangosur brenda një avioni ushtarak, i veshur me rroba të bardha dhe i ulur mes dy efektivëve të uniformuar ushtarakë. Pamjet konfirmojnë informacionet e mëparshme se ai është nxjerrë jashtë territorit të Venezuelës nën masa të rrepta sigurie.
Më herët, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi përmes një postimi në Truth Social se Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij ishin arrestuar dhe evakuuar nga vendi. Sipas burimeve zyrtare amerikane për CBS News, operacioni është kryer nga Delta Force, njësia elitare e operacioneve speciale të ushtrisë amerikane.
Delta Force njihet për misione të profilit të lartë dhe ka qenë më parë përgjegjëse për operacionin e vitit 2019 që çoi në eliminimin e ish-liderit të ISIS, Abu Bakr al-Baghdadi.
Kujtojmë se Nicolas Maduro ndodhej në listën e personave më të kërkuar nga autoritetet amerikane që prej vitit 2020, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge dhe lidhje me organizata kriminale.
Zhvillimet pritet të kenë ndikim të fortë politik dhe diplomatik në rajon, ndërsa autoritetet amerikane ende nuk kanë dhënë detaje të plota mbi procedurat ligjore që do të pasojnë.



