back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 16 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetNga mbështetje te firmat për shkarkim/ Kthesa e socialistëve ndaj Veliajt

Nga mbështetje te firmat për shkarkim/ Kthesa e socialistëve ndaj Veliajt

Pasditen e sotme, në selinë e Partisë Socialiste, u zhvillua një mbledhje e këshilltarëve socialistë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku u diskutua nisja e procedurave për shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Në përfundim të mbledhjes, këshilltarët e pranishëm hodhën firmat mbi dokumentin që do të paraqitet të martën, në orën 16:00, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës. Ky hap i hap rrugën procedurës ligjore që më pas kërkon vendimmarrjen e Këshillit të Ministrave dhe, në rast shkarkimi, të drejtën e Veliajt për ta ankimuar brenda 15 ditëve në Gjykatën Kushtetuese.

Burime nga mbledhja bëjnë të ditur se disa këshilltarë socialistë kanë shfaqur hezitim në momentin e firmosjes së kërkesës. Aldo Mërkoçi, sipas të njëjtave burime, ka kërkuar që në dokument të pasqyrohej fakti se Veliaj ka kontribuar në shërbim të qytetit. Po ashtu, Eridian Saljanji ka theksuar vështirësinë e këtij vendimi, për shkak të bashkëpunimit shumëvjeçar me kryebashkiakun, duke u shprehur se do të ishte i gatshëm të “sakrifikonte” edhe mandatin e tij përballë kësaj situate.

Megjithatë, në përfundim të diskutimeve, të gjithë këshilltarët firmosën kërkesën për shkarkimin e Veliajt.

Procedura mbështetet mbi nenin 62 të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”, i cili parashikon tre raste kur një kryetar bashkie mund të shkarkohet: shkelje të rënda të Kushtetutës apo ligjit, dënim penal me vendim të formës së prerë, ose mosparaqitje në detyrë për tre muaj të pandërprerë.

Pikërisht ky nen ka sjellë debate për interpretim, pasi ligji nuk sqaron nëse “mosparaqitja në detyrë” duhet të jetë e arsyetuar apo jo. Në rastin e Veliajt, ai ndodhet në arrest, ndërkohë që ndaj tij nuk ka ende një vendim të formës së prerë.

E martja pritet të shënojë hapin e parë formal në këtë proces, ndërsa vendimi final do të mbetet në dorën e Këshillit të Ministrave dhe më pas, të Gjykatës Kushtetuese, nëse kryebashkiaku vendos ta kundërshtojë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat