Këtë të enjte, në ambientet e Ministrisë së Brendshme, po zhvillohet procesi i intervistimit të kandidatëve që kanë aplikuar për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës. Gara u hap pas dorëheqjes së Ermal Onuzit në qershor të vitit të kaluar.
Për këtë post konkurrojnë gjithsej tetë kandidatë, mes të cilëve edhe dy emra të njohur nga politika: ish-deputeti i Partisë Socialiste, Denis Deliu, dhe ish-anëtari i kryesisë së Partisë së Lirisë, Faik Basha. Kandidatë të tjerë në garë janë Liman Hoxha, Arian Sopiqoti, Ilirjan Hasanaj, Simon Zereci, Vasil Çuni dhe Zaje Osma.
Intervistimi po zhvillohet përpara një komisioni vlerësimi të përbërë nga zëvendësministri i Brendshëm, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Brendshme dhe Drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Gjatë intervistës, kandidatët po prezantojnë platformat dhe vizionin e tyre për drejtimin e Gardës së Republikës, ndërsa anëtarët e komisionit u drejtojnë pyetje në përputhje me kriteret e vlerësimit të përcaktuara në udhëzimin e Ministrit të Brendshëm.
Në përfundim të procesit, komisioni do të kryejë vlerësimin me pikë dhe renditjen e kandidatëve, bazuar në dokumentacionin e dorëzuar, informacionin e administruar dhe performancën gjatë intervistës. Renditja përfundimtare, së bashku me vlerësimet me shkrim për secilin kandidat, do t’i përcillet ministrit të Brendshëm, i cili më pas do t’ia dërgojë propozimin për emërimin përfundimtar kryeministrit.



