back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 7 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaNga refuzimi i BE te financimi europian/ Rama flet për Korridorin VIII

Nga refuzimi i BE te financimi europian/ Rama flet për Korridorin VIII

Kryeministri, Edi Rama, gjatë një vizite në zonën e Librazhd dhe Prrenjas, ku inspektoi punimet në aksin rrugor që lidh dy qytetet, foli para banorëve edhe për rëndësinë strategjike të projektit të Korridori VIII.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se për një kohë të gjatë ky projekt nuk ishte pranuar nga Bashkimi Europian si pjesë e korridoreve europiane, pavarësisht se konsiderohej strategjik për rajonin. Sipas tij, arsyeja e këtij refuzimi lidhej me qëndrimin e disa vendeve anëtare të BE-së që nuk e mbështesnin përfshirjen e tij në rrjetin zyrtar europian të transportit.

“Korridori VIII ka qenë prej kohësh i kuptuar dhe i deklaruar strategjik, por nuk ka qenë i pranuar nga BE si një korridor europian. Arsyeja ka qenë se jo të gjitha vendet e BE e dëshironin këtë korridor dhe ka pasur gjithmonë refuzim për ta përfshirë në korridoret europiane, sepse përfshirja i jep një korridori vlerën si një aset të BE-së”, u shpreh Rama.

Ai sqaroi se statusi i një korridori si aset europian i hap rrugë financimit nga fondet e Bashkimit Europian dhe nga institucione financiare ndërkombëtare, gjë që e bën më të realizueshëm një projekt të përmasave të mëdha infrastrukturore.

Sipas kryeministrit, përfshirja e këtij korridori në rrjetin europian të transportit erdhi pas përpjekjeve diplomatike të Shqipërisë dhe u konkretizua gjatë samitit mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që u zhvillua në Tiranë.

“Ka qenë puna dhe diplomacia jonë që në samitin e zhvilluar në Tiranë mes BE dhe Ballkanit Perëndimor ky korridor u fut në rrjetin europian. Natyrisht që duke u bërë kjo, jo vetëm u kuptua natyra strategjike e tij, por edhe rëndësia e tij për rajonin”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se projekti i Korridorit VIII nuk ka rëndësi vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e tjera të rajonit që përfshihen në këtë linjë strategjike transporti, si Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.

Sipas tij, zhvillimi i këtij korridori pritet të ketë ndikim të rëndësishëm ekonomik dhe social, duke rritur vlerën e pronës, duke nxitur investimet dhe duke përmirësuar lidhjet infrastrukturore në rajon. Rama përmendi gjithashtu edhe rëndësinë e një dimensioni të mundshëm ushtarak të këtij korridori, i cili sipas tij do të rrisë edhe më shumë vlerën strategjike të projektit.

“Korridori duhet të ndërtohet edhe në vendet që i kemi ngjitur apo më pas, në Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari. Përpjekja jonë për një krah ushtarak do ta bëjë edhe më të rëndësishëm dhe do të rrisë në mënyrë të jashtëzakonshme vlerën e tij, pronës dhe impaktin ekonomik e social. Është një vepër shumë e madhe për t’u zhytur në baltën e makinerisë që veç e prodhon”, deklaroi Rama.

Projekti i Korridorit VIII konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për rajonin e Ballkanit, pasi synon të lidhë Detin Adriatik me Detin e Zi përmes një rrjeti rrugor, hekurudhor dhe portual që kalon në disa vende të rajonit.

Në Shqipëri, një pjesë e rëndësishme e këtij projekti lidhet me përmirësimin e akseve rrugore dhe hekurudhore që lidhin portet shqiptare me kufijtë lindorë të vendit, duke e bërë vendin një nyje të rëndësishme tranziti në rajon.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat