back to top
21.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaNga simbol i “Rilindjes Urbane” në simbol të SPAK-ut/ Dosja e zezë...

Nga simbol i “Rilindjes Urbane” në simbol të SPAK-ut/ Dosja e zezë e Erion Veliajt

Erion Veliaj, ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe një nga figurat më të rëndësishme të Partisë Socialiste në dekadën e fundit, ndodhet prej më shumë se pesë muajsh në paraburgimin e Durrësit, si pjesë e një hetimi të thelluar të SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe abuzim me fondet publike. Sot, më 23 korrik 2025, Prokuroria e Posaçme i komunikoi zyrtarisht akuzat në ambientet e burgut, duke shënuar një kthesë të re në dosjen që ka tronditur politikën shqiptare dhe qeverisjen vendore.

Arrestimi me 10 shkurt 2025
Mëngjesi i 10 shkurtit solli një zhvillim të rendësishem: Me urdhër të SPAK, u arrestua kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Ndaj tij u ekzekutua një masë sigurie me burg, në kuadër të një hetimi që kishte nisur prej muajsh dhe lidhej me një numër të madh procedurash të dyshuara si të manipuluara në Bashkinë e Tiranës.

Arrestimi i Veliajt u shoqërua me një operacion të gjerë, ku u morën në pyetje disa zyrtarë të bashkisë, drejtues institucionesh në varësi si dhe përfaqësues të kompanive private që kishin lidhje kontraktuale me Bashkinë e Tiranës.

Hetimet e SPAK dhe pikat kyçe të dosjes
Hetimi ndaj Veliajt u përqendrua kryesisht në disa drejtime

Duke filluar nga abuzime me tenderat publikë, kryesisht në projektet për gjelbërimin dhe ndriçimin e qytetit, rikonstruksione të shkollave dhe kontrata për menaxhimin e mbetjeve urbane.

Per te vijuar me akuzen per pastrim parash, përmes përdorimit të kompanive nënkontraktore të lidhura me persona pranë tij, ku dyshohet se janë kanalizuar fitime të paligjshme si dhe favorizim te klientëve të afërt, nëpërmjet garave fiktive ose të manipuluara.

SPAK njoftoi se në hetim janë përfshirë edhe gjashte biznesmenë të njohur, si dhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, ndaj të cilës fillimisht u vendos masa “arrest shtëpie”, por më pas u zbut në “detyrim paraqitje”.

Refuzimi i kërkesave për lirim
Veliaj përmes avokatëve të tij ka paraqitur disa kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë, duke pretenduar mungesë provash dhe presion politik. Por Gjykata e Posaçme i ka refuzuar kërkesat në të gjitha shkallët. Së fundmi, edhe Gjykata e Lartë ka hedhur poshtë rekursin e bërë nga avokatët e tij për zbutje të masës së paraburgimit.

Rrjeti i të përfshirëve: Emrat që përmenden në dosje
Në dosjen voluminoze të SPAK janë përfshirë edhe emrat e biznesmenëve Elman Abule dhe Mirton Lika, të cilëve në ditët e fundit u janë komunikuar akuzat për fshehje të të ardhurave dhe lidhje me veprimtari korruptive.

Më parë, SPAK u kishte komunikuar akuzat edhe drejtuesve të disa shoqërive të ndërtimit dhe kompanive të menaxhimit të mbetjeve që kishin fituar tendera në Bashkinë e Tiranës.

Komunikimi zyrtar i akuzave 
Sot, SPAK zyrtarizoi akuzat ndaj Veliajt në paraburgimin e Durrësit. Akuza zyrtare ndaj tij përfshin, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, “Pastrim parash”,“Shpërdorim detyre në bashkëpunim”, si dhe “Krijim i një skeme klienteliste për shpërndarjen e fondeve publike”.

Raportohet se provat përfshijnë transaksione bankare, komunikime të përgjuara, dëshmi të ish-zyrtarëve dhe dokumente që lidhin drejtpërdrejt vendimet e bashkisë me interesa të caktuara financiare.

Reagimet politike dhe heshtja e mazhorancës
Partia Socialiste ka ruajtur një qasje të kujdesshme në publik, duke mos komentuar drejtpërdrejt mbi Veliajn, edhe pse ai ka qenë një nga figurat më të rëndësishme të PS-së në nivel lokal dhe kombëtar.

Ndërkohë, opozita e ka përdorur arrestimin e Veliajt si provë për “kalbëzimin e qeverisjes së Rilindjes”, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe ndëshkim të të gjithë zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion.

Çfarë pritet më tej?
Me komunikimin zyrtar të akuzave, SPAK pritet të përmbyllë fazën përgatitore të hetimit dhe të çojë çështjen në gjykim. Mbetet për t’u parë nëse ndaj Veliajt do të rëndojnë dënime të rënda në rast të provimit të fajësisë, apo nëse ai do të përpiqet të mbrohet me fakte dhe dëshmi që rrëzojnë akuzat.

Gjithashtu, përfshirja e figurave të tjera politike dhe ekonomike në dosje pritet të thellojë goditjen ndaj një rrjeti të ndërlidhur të korrupsionit të dyshuar, që për një dekadë ka vepruar në mënyrë të koordinuar në zemër të kryeqytetit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat