Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një fjalim të fortë gjatë protestës së opozitës para Kryeministrisë, duke e cilësuar situatën në vend si një nga momentet më kritike në historinë e kombit shqiptar.
Berisha deklaroi se Shqipëria po përjeton një krizë të thellë demografike dhe shoqërore, duke theksuar se në 10 vitet e fundit shqiptarët janë pakësuar më shumë se nga luftërat, epidemitë apo fatkeqësitë natyrore. Sipas tij, vendi ka humbur mbi gjysmën e rinisë dhe po shkon drejt zhdukjes së së ardhmes.
“Kombi është në momentin e tij më kritik, jo vetëm në 35 vitet e fundit, por ndoshta në gjithë historinë e tij mijëravjeçare”, u shpreh Berisha para protestuesve.
Kreu i PD-së akuzoi kryeministrin Edi Rama se, pasi sipas tij “vodhi zgjedhjet dhe i shndërroi ato në farsë elektorale”, ka vendosur të pasurohet në mënyrë personale duke shfrytëzuar pasuritë publike dhe paratë e qytetarëve.
Berisha theksoi se Rama ka vendosur veten mbi ligjin dhe Kushtetutën, duke e cilësuar qeverisjen e tij si një regjim që nuk njeh më kufij institucionalë.
“Ai na thotë se është mbi ligjin, mbi Kushtetutën. Por nga sonte, hidhi sytë këtij bulevardi – ti nuk do të njihesh më si kryeministër, por si kapobandë”, deklaroi Berisha, mes brohoritjeve të mbështetësve.
Në fjalën e tij, Berisha falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen masive në protestë, duke e cilësuar tubimin si “një uragan shprese dhe besimi për shpëtimin e Shqipërisë”, ndërsa bëri thirrje për qëndresë dhe vazhdim të protestave kundër qeverisë.



