Nga Etleva Skonja
Ristrukturimi i drejtësisë shqiptare përmes procesit të vettingut ka qenë një nga ndërhyrjet më të thella dhe të debatueshme në sistemin gjyqësor. Me qindra gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar nga detyra për shkak të mosjustifikimit të pasurisë, kontakteve me persona të inkriminuar apo cenimit të integritetit profesional. Por një debat i ri ka marrë vëmendje: A duhet t’u lejohet këtyre ish-magjistratëve të japin mësim në Shkollën e Magjistraturës?
Nga Vettingu te leksionet: Rikthim përmes derës së pasme?
Disa nga ish-gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar ose që kanë dhënë dorëheqje gjatë procesit të vettingut, kanë shfaqur ambicie për të dhënë mësim në institucionin që përgatit brezat e rinj të drejtësisë – Shkolla e Magjistraturës. Ky fakt ngre një shqetësim thelbësor: A është e moralshme dhe e drejtë që individët e larguar për mungesë integriteti të kenë rol formues në ndërtimin e drejtësisë së re?
Alarmi i Brukselit: Një problem që nuk po zgjidhet
Kritikat nuk vijnë vetëm nga shoqëria civile dhe mediat. Sipas raportit të Komisionit Evropian për Shtetin e së Drejtës në Shqipëri, gjendja konsiderohet alarmante. Në raport thuhet se:
“Fakti që ish-magjistratët që kanë dhënë dorëheqjen gjatë vettingut dhe janë subjekt ndalimi për të mbajtur pozita të larta në sistemin gjyqësor, janë të lirë të punësohen si staf pedagogjik në Shkollën e Magjistraturës, është i rëndë.”
Ky vlerësim nënkupton se standardet që vendosen për sistemin e drejtësisë nuk po zbatohen me të njëjtën rigorozitet në institucionet arsimore që përgatitin gjyqtarë dhe prokurorë të rinj. Nëse një individ konsiderohet i papërshtatshëm për të ushtruar drejtësinë, si mund të konsiderohet i përshtatshëm për ta mësuar atë?
Lejimi i këtyre individëve të japin mësim relativizon vetë procesin e vettingut. Krijohet ideja se largimi nga funksioni nuk është fundi i ndikimit të tyre. Ata mund të mos jenë më në sallën e gjyqit, por janë në auditore – duke ushtruar ndikim tek gjenerata e ardhshme e drejtësisë.
Çështje ligji apo morali?
Edhe nëse ligji nuk ndalon shprehimisht angazhimin e tyre si pedagogë, kjo mbetet një çështje e moralit dhe standardit institucional. Shkolla e Magjistraturës nuk është thjesht një institucion akademik, por është themeli mbi të cilin ndërtohet besimi i publikut ndaj sistemit të drejtësisë.
Shkolla e Magjistraturës, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të hartuar rregulla të qarta dhe etike, që përjashtojnë nga roli pedagogjik personat që janë larguar për mungesë integriteti ose që kanë shmangur procesin e vettingut me dorëheqje.
Nëse drejtësia e re do të ketë themele të forta, nuk mund të ndërtohet mbi hijet e dështimeve të së kaluarës.
Procesi i Rivlerësimit (Vetting)
Procesi i rivlerësimit të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve u përfundua në shkallën e parë në nëntor 2024, duke forcuar më tej llogaridhënien, ndërsa masat për të ruajtur standardet e larta të vendosura gjatë këtij procesi ende duhet të miratohen. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (IMO) ka vijuar mbikëqyrjen e plotë të të gjitha aspekteve të procesit të rivlerësimit.
Rezultati i përgjithshëm i vendimeve në shkallën e parë, dhe ku ka pasur ankesa, në shkallë të dytë, ka qenë:
- 282 shkarkime dhe përfundime marrëveshjesh pune (56 %);
- 350 konfirmime në detyrë (44 %);
- dhe katër masa pezullimi me detyrimin për t’u trajnuar (0.49 %).
Janë ende në pritje 110 ankesa. Dhoma e Apelit ka rritur ritmin e shqyrtimit të anketimeve, përfshirë edhe emërimin e katër stafesh shtesë, dhe është në rrugë për të finalizuar procesin e rivlerësimit brenda afatit kushtetues në qershor 2026.