Shqipëria duhet të përmbushë 21 kushte specifike për të mbyllur negociatat me Bashkimin Evropian për Grupkapitullin 4 mbi Agjendën e Gjelbër dhe Lidhjen e Qëndrueshme, pa përfshirë këtu kërkesat e përgjithshme për përafrimin e legjislacionit.
Bashkimi Evropian ka publikuar pozicionin e përbashkët negociator, dokument që tregon sa i linjëzuar është legjislacioni shqiptar me atë të BE-së dhe çfarë piketash duhet të plotësojë vendi ynë për të përfunduar negociatat për këtë grupkapitull.
Sa i përket transportit hekurudhor, BE-ja vlerëson ndarjen e menaxhimit të infrastrukturës dhe operacioneve hekurudhore në dy shoqëri, si bazë për krijimin e zonës së vetme hekurudhore evropiane. Bashkimi Evropian nxit përmirësime të mëtejshme në sigurinë hekurudhore, kuadrin institucional dhe standardet e ndërveprimit, si dhe bashkëpunimin me Agjencinë Evropiane të Hekurudhave.
Për të mbyllur negociatat, Shqipëria duhet gjithashtu të sigurojë:
Një organ rregullator hekurudhor të aftë, të pavarur dhe efektiv.
Një autoritet kombëtar sigurie dhe një organ kombëtar hetimor plotësisht funksional.
Përputhje me Rrjetin Evropian Hekurudhor për mallra konkurruese.
Shqipëria po negocion afatet kohore për zbatimin e kushteve të vendosura nga BE-ja. Për shembull, për Direktivën që lidhet me cilësinë e ajrit, reduktimin e emetimeve dhe kontrollin e përbërjeve organike të paqëndrueshme, vendi ka kërkuar kohë deri në vitin 2036, ose për 6 vjet pas anëtarësimit në BE.
Po ashtu, për direktivën mbi menaxhimin dhe riciklimin e paketimeve (qese, kartonë etj.), Shqipëria ka kërkuar kohë deri në vitin 2040, ose 10 vjet pas anëtarësimit. Këto janë vetëm disa nga fushat ku vendi ka më shumë vështirësi dhe duhet të përmirësohet për të përmbushur kërkesat e BE-së.