Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, në fjalën e tij përpara simpatizantëve të opozitës tha se ka qenë në SHBA dhe ka zhvilluar takime me senatorët amerikanë.
Nga vendi që u përgjak me 21 janar, ku mbetën të vrarë 4 persona, Mediu bëri thirrje për një bashkim, për të rrëzuar një “mur të fëlliqur”, që qeveria ka ngritur me qytetarët shqiptarë.
“Më lejoni t’ju sjell falënderimet më të përzemërta nga miqtë republikanë dhe senatorët e Amerikës. Ata duan një Shqipëri demokratike. Ne jemi këtu për shtetin e shqiptarëve dhe jo për pushtetin. Ne jemi ata që sollëm demokracinë, që e bëmë Shqipërinë vend anëtar të NATO-s, jemi ne që pritëm presidentin amerikan të Amerikës George Bush. Ne kemi ndërtuar më të mirën për kombin shqiptar. Kjo qeveri shet propagandë e demagogji, duke besuar se ka vetëm një forcë.
Votuesit janë ata që vendosin. Dy rezoluta të kryesuara nga CDU thonë se në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme. Diaspora ka shansin për ta ndryshuar Shqipërinë. Sot duhet t’ju kthejmë shqiptarëve besimin në Zot. Shqiptarët të bashkohen për të rrëzuar këtë “mur” të fëlliqur që ka ngritur kjo qeveri me qytetarët. Kjo është qeveri antikombëtare, që punon me Serbinë, në kurriz të Kosovës. Rruga e Shqipërisë nuk është nga Serbia, por nga BE dhe SHBA. Ta kthejmë Shqipërinë për nga rruga e saj euro-atlantike”, tha Mediu.