Tregu i pasurive të paluajtshme në Durrës po përjeton një periudhë të pazakontë, ku shumica e pronarëve po e shtyjnë shitjen e pronave deri në janar. Ekspertët e tregut imobiliar shpjegojnë se kjo “ngrirje” lidhet me vendimin për rivlerësimin e pronave me 5%, i cili u miratua në korrik dhe do të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.
Florian Tahiri, përfaqësues i tregut imobiliar, tha për Euronews Albania se çmimet e referencës tashmë janë afër atyre të tregut real, një lajm pozitiv që pritet të rrisë transparencën dhe të shpërfaqë më shumë të ardhura të deklaruara. “Ajo që ndikon tani është pritja e pronarëve për rivlerësimin 5% në janar, për të kryer më pas shitjet,” shtoi ai.
Edhe pse tregu është i ngadaltë për momentin, interesi nga blerësit e huaj mbetet i lartë, kryesisht nga Çekia, Polonia, Italia dhe Hungaria, sidomos për ndërtimet e reja në zonat Golem, Mali i Robit dhe Qerret.
Ndërkohë, ndërtimi i kullave të para në qytet shihet si një mundësi për të plotësuar mungesën e ofertës. Ekspertët paralajmërojnë se rritja e pakontrolluar e këtyre ndërtimeve mund të krijojë probleme për tregun në të ardhmen.
Pavarësisht rritjes së çmimeve dhe investimeve të reja, tregu mbetet i brishtë dhe i ndikuar nga vendimet e pronarëve. Janari pritet të vendosë drejtimin e tregut për vitin e ardhshëm, ndërsa deri atëherë, blerësit dhe shitësit qëndrojnë në pritje.