Anëtari i kryesisë së PD, Grigels Muçollari në një dalje poër mediat, ka akuzuar Qeverinë se po tërheq të gjitha fijet për të mbuluar skandalin me mbetjet të dyshuara toksike, në Portin e Durrësit.
“Pasi qëndroi më shumë se 10 ditë, dy milje larg portit të Durrësit, anija Moliva, me 2100 tonë mbetje të dyshuara si të rrezikshme dhe toksike, më në fund është ankoruar.
Ende nuk është e qartë dhe bindëse përse kontejnerët qëndruan kaq kohë në det.
Por ajo çfarë kuptohet qartë në këto momente, është se procesi i marrjes së ngarkesave dhe trajtimi i tyre nuk po bëhet sipas standardeve ndërkombëtare, dhe nuk po merret parasysh asnjë nga kërkesat e Rrjetit të Bazelit.
Aktorët që po merren me mbetjet janë të gjitha instanca nën kontrollin e Kryeministrit, dhe kjo e vë totalisht në dyshim besueshmërinë e rezultatit të testimit.
Gjithçka po menaxhohet nga policia e shtetit, nën rrethim, kordonë sigurie dhe pa transparencë. Nga policia më politike që ka njohur vendi në këto vite, totalisht e varur nga porositë e urdhrat e qeverisë”, ka thënë Muçollari.
Sipas të njëjtit, Prokuroria e Durrësit nuk ka shanse të shkojë deri tek shefat e mëdhenj me hetime, derisa për SPAK-un, Edi Rama thotë se e ka krijuar ai, është krijesa e tij.
“Nga ana tjetër, organi i akuzës që drejtohen këtë proces, i ka kërkuar agjencive shtetërore bërjen e testimit. Pra agjencive dhe autoriteteve që varen dhe ndikohen nga qeveria.
Rrjeti i Bazelit, qytetarët dhe Opozita ngulmuan që çdo gjë të bëhej në sytë e publikut, nën monitorim të mediave, në prani të ekspertëve ndërkombëtarë dhe analiza e mostrave nga 3 kontejnerë me vulë të dyllosur, të padëmtuar, të bëhej në 3 laboratorë të ndryshme, mundësisht të vendeve të BE-së.
Krejt e kundërta po ndodh.
Partia Demokratike e dënon këtë fshehje të së vërtetës, këtë mungesë transparence dhe dorëzim të procesit në duart e qeverisë, e cila është e akuzuara kryesore për përfshirje të trafik ilegal ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme.
Siguria mjedisore, shëndeti dhe jeta e qytetarëve janë më të rëndësishme se karrigia e Mirela Kumbaros, Pirro Vengut, Belinda Ballukut, dhe Edi Ramës.
Këtë duhet ta dinë mirë të gjithë ata që po bëhen pjesë e kësaj farse, në fshehtësi.
Konventa e Bazelit ku ne aderojmë dhe është e detyrueshme për zbatim, parashikon penalitete të ashpra për qeveritë e vendeve që kryejnë trafik ilegal të mbetjeve të rrezikshme apo toksike.
Për të shpëtuar nga ky ndëshkim, Edi Rama është gati të montojë gjithçka, e në fund të nxjerrë se me ato mbetje mund të lahen dhe duart, mund të bëhen dhe filma.
Ne i ftojmë mediat, shoqërinë civile dhe qytetarët të mos e lejojnë këtë skenar të rrezikshëm, që kërkon të mbulojë aferën e mbetjeve të rrezikshme ose toksike ku ministra dhe Kryeministri janë të përfshirë”, është shprehur Muçollari.