back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024
spot_img
KreuAktualitetKosovaNgrihet aktakuzë kundër një të dyshuari për krime lufte në Kosovë

Ngrihet aktakuzë kundër një të dyshuari për krime lufte në Kosovë

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të enjten se ka ngritur aktakuzë kundër një të dyshuari për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999.

I dyshuari, i cili ndodhet në arrati, akuzohet për veprën penale krimi i luftës kundër popullsisë civile, tha Prokuroria.

“Hetimet kanë vërtetuar se i pandehuri Z.P, i armatosur, i uniformuar, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen, plagosjen, dëbimin masiv dhe plaçkitjen e qytetarëve civil të nacionalitetit shqiptar që nuk ishin të përfshirë në luftë”, thuhet në njoftim.

Prokurori ka kërkuar që gjykimi ndaj tij të zhvillohet në mungesë, duke qenë së i pandehuri është në arrati.

Gjykimi i parë në mungesë për krime lufte pati nisur në nëntor të vitit 2023 në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Mbajtja e gjykimeve në mungesë parashihet kur i akuzuari heq dorë vetë nga drejta për të qenë i pranishëm në shqyrtimet gjyqësore.

Gjykimi mund të mbahet në mungesë të të akuzuarit dhe kjo mund të bëhet kur prokuroria dhe gjykata t’i kenë shtjerrë të gjitha mjetet për sigurimin e prezencës së të akuzuarit.

Dhjetorin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte thënë se ka ngritur gjithsej 33 aktakuza, që përfshijnë 89 persona, për krime lufte në Kosovë.

Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-’99 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë./REL

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat