back to top
11.5 C
Tirana
E mërkurë, 29 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetRajoniNikolla Dimitrov në Greqi: BE po humbet besueshmërinë, Evropa po braktis vlerat...

Nikolla Dimitrov në Greqi: BE po humbet besueshmërinë, Evropa po braktis vlerat e saj

Ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut dhe drejtuesi i iniciativës “Solucija”, Nikolla Dimitrov, ka mbajtur një fjalim të fortë kritik në “Simpoziumin Simi” të mbajtur në Greqi, duke i bërë thirrje Bashkimit Europian të qëndrojë besnik ndaj parimeve dhe premtimeve të saj, sidomos në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Evropa duhet të jetë një partner i qëndrueshëm, konsistente dhe parimor, një partner që mban dhe përmbush premtimet. Një partner që është i zëshëm kur kryhen padrejtësi, kur shkelet e drejta ndërkombëtare, kur abuzohen të drejtat e njeriut. Ne nuk e shohim këtë”, tha Dimitrov gjatë simpoziumit.

Ai ngriti shqetësime të drejtpërdrejta për procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, duke akuzuar Brukselin për mungesë qëndrueshmërie dhe lejimin e shantazhit politik nga shtete anëtare si Bullgaria.

Sipas Dimitrovit, BE-ja po lejon që ajo që u arrit me Marrëveshjen e Prespës – njohja e identitetit dhe gjuhës maqedonase – të vihet në dyshim dhe të sulmohet nga Bullgaria, që sipas tij po e përdor veton në mënyrë të papranueshme.

“Bullgaria me krenari shfrytëzoi veton, pasi ajo na u imponua për herë të parë nga Franca. Një gabim i tmerrshëm gjeostrategjik nga Parisi. Dhe tani, në vend që të flasim për reforma, jemi të bllokuar me çështje të turpshme nga shekulli i kaluar, me një narrativë që është thjesht e papranueshme në Evropën e shekullit të 21-të. Dikush tjetër më thotë kush jam dhe çfarë gjuhe flas”, u shpreh ai.

Dimitrov theksoi se një politikë kompromisi në kurriz të vlerave themelore si e drejta e identitetit dhe e vetëpërcaktimit, po e minon vetë Bashkimin Europian si një projekt besueshmërie dhe ndikimi në arenën globale.

“Evropa që braktis vlerat e saj bëhet asgjë. Kur Evropa hesht përballë padrejtësive dhe vendos kompromisin mbi parimin, ajo jo vetëm që humbet besimin e vendeve që aspirojnë të anëtarësohen, por edhe rolin e saj në një botë gjithnjë e më të rrezikshme dhe të paparashikueshme”, tha më tej ai.

Fjalimi i Dimitrovit erdhi në një moment kritik për perspektivën e Ballkanit Perëndimor në BE, me procesin e zgjerimit që është vonuar për vite të tëra dhe ka krijuar një boshllëk politik e strategjik në rajon. Kritikat e tij pasqyrojnë gjithnjë e më shumë zhgënjimin që po rritet ndaj institucioneve evropiane në rajonet që presin integrimin si rrugën e vetme drejt stabilitetit dhe zhvillimit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat