Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka njoftuar se sot është hapur zyrtarisht portali UALBANIA, për aplikimin online të maturantëve në universitetet shqiptare. Aplikimet do të jenë të hapura deri më 3 gusht, dhe çdo maturant ka të drejtë të përzgjedhë deri në 10 programe studimi.
Në një postim në rrjetet sociale, Manastirliu ka theksuar rëndësinë e këtij procesi, duke e cilësuar UAlbania si “urat lidhëse mes maturantëve dhe botës akademike”.
“UAlbania është porta hyrëse në jetën universitare, me informacione të detajuara për programet e studimit, kriteret e pranimit dhe procedurat e aplikimit,” – u shpreh ministrja.
Portali zyrtar është: https://ualbania.al
Sipas të dhënave zyrtare, që nga viti 2016, portali UAlbania bashkon informacionet nga 38 universitete publike dhe private, dhe ofron të dhëna të plota për 561 programe studimi të ciklit të parë (bachelor) në vend.
Përmes platformës, maturantët mund të njihen me:
programet e ofruara në secilin universitet;
kriteret e pranimit për secilin program;
dokumentacionin e nevojshëm;
mënyrën e përzgjedhjes dhe renditjen e preferencave;
dhe procesin e regjistrimit pas shpalljes së fituesve.
Ministria e Arsimit apelon për kujdes dhe informim të plotë përpara renditjes së preferencave, pasi zgjedhjet janë detyrimisht të lidhura me mesataren, degën e përfunduar në shkollën e mesme dhe rezultatet në provimet e Maturës Shtetërore.