Shqipëria do të ketë për herë të parë një operator të vetëm kombëtar për trajtimin e mbetjeve, në kuadër të reformës së re për menaxhimin e integruar. Reforma nis me dy projektligje të rëndësishme, të cilat synojnë përafrimin 100% me direktivat e Bashkimit Europian për mbrojtjen e mjedisit.
Bashkitë do të kenë në vijimësi vetëm detyrimin për mbledhjen e mbeturinave, ndërsa trajtimi dhe asgjësimi i tyre do të kalojë nën administrimin e operatorit kombëtar.
“Ky operator do të marrë në posedim të gjitha pikat fundore të trajtimit të mbetjeve, të cilat janë impiantet e landfillimit dhe asgjësimit, në mënyrë që investimet dhe menaxhimi të jenë të unifikuara në të gjithë Shqipërinë. Sot që flasim, landfill-et menaxhohen në mënyra të ndryshme dhe nuk ka uniformitet”, deklaroi zëvendësministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj.
Projektligji për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit
Një tjetër risi e reformës është miratimi në parlament i projektligjit për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesve, i cili vendos detyrime të reja për kompanitë prodhuese, importuese dhe shpërndarëse.
“Shqipëria ka qenë i vetmi vend në Europë që nuk e ka pasur këtë sistem. Me projektligjin e ri, sanksionohet krijimi i kompanive të specializuara që do të merren me riciklimin, si një detyrim për prodhuesit, importuesit dhe distributorët”, shtoi Jaupaj.
Investime në 10 zona dhe mbyllja e vendgrumbullimeve të paligjshme
Reforma do të vijojë me investime në 10 zona të menaxhimit të integruar të mbetjeve. Sipas Ministrisë së Mjedisit, objektivi është që brenda disa viteve të ardhshme, në territorin e Shqipërisë të mos ekzistojë më asnjë vendgrumbullim i paligjshëm.