Një ditë pas protestës së opozitës në Tiranë, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë bërë bashkë në tryezën parlamentare, duke zhvilluar mbledhjen e radhës së Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale.
Mbledhja u zhvillua këtë të mërkurë, 11 shkurt, me opozitën që iu rikthye komisionit pas një periudhe tensionesh dhe bojkotesh.
Në fjalën hapëse, bashkëkryetari demokrat i komisionit, Luçiano Boçi, theksoi se procesi duhet të prodhojë një rezultat të përbashkët dhe jo një vendimmarrje të njëanshme nga mazhoranca. Sipas tij, çdo iniciativë që nis me konsensus, por përfundon me një produkt të diktuar politikisht, do të zhvlerësonte vetë funksionin e komisionit.
Boçi kërkoi që vullneti për bashkëpunim të formalizohet qartë dhe të shërbejë si bazë për vijimin e punës në vijim.
Nga ana tjetër, bashkëdrejtuesi socialist Arbjan Mazniku u shpreh se reforma duhet të synojë forcimin e bashkive dhe rajoneve, jo vetëm në aspektin e ofrimit të shërbimeve, por edhe në rritjen e kapaciteteve për përthithjen e fondeve nga Bashkimi Europian.
Sipas Maznikut, reforma duhet të përfundojë përpara zgjedhjeve të vitit 2027, në mënyrë që vendi të hyjë në procesin zgjedhor me një organizim të ri territorial. Ai shtoi se objektivi është që deri në vitin 2030 njësitë vendore të funksionojnë sipas standardeve të kërkuara.
Përplasjet mes palëve lidhur me këtë komision kanë qenë të pranishme edhe më herët. Në seancën plenare të 3 shkurtit u debatua mbi përbërjen dhe formulën e drejtimit të tij, ku mazhoranca propozoi riformatim me 17 anëtarë dhe ndryshim të formulës së bashkëdrejtimit, por çështja u tërhoq nga rendi i ditës.
Opozita e kishte justifikuar bojkotin me pretendimin se mazhoranca po zhvillonte agjenda paralele jashtë dakordësisë së përbashkët.
Në mbledhjen e kësaj të mërkure pritet të miratohet procesverbali i mbledhjes së 11 nëntorit 2025, të caktohet sekretari i komisionit, si dhe të miratohet plani i punës, kalendari i ri dhe emrat e ekspertëve që do të asistojnë komisionin në vijim.



