Pas vendimit për shkarkimin nga detyra e Ministres së Jashtme, Elisa Spiropali publikoi një reagim të gjatë në rrjetet sociale, duke theksuar se pozicioni i saj politik mund të ketë përfunduar, por angazhimi dhe përgjegjësia ndaj Shqipërisë nuk përfundojnë me një vendim administrativ.
“Dje përfundoi një detyrë, por jo një rrugëtim. Në jetën publike funksionet mbyllen me një vendim, ndërsa përgjegjësia vazhdon me ndërgjegjen. Politika është një territor ku koha lëviz shpejt, por kujtesa lëviz ngadalë. Në fund, ajo që mbetet nuk është posti që ke mbajtur, por mënyra se si e ke mbajtur atë dhe çfarë peshe i ke dhënë fjalës dhe qëndrimit tënd,” shkruante Spiropali.
Ajo u shpreh se shërbimi ndaj Shqipërisë ka qenë gjithmonë i lidhur pazgjidhshmërisht me dashurinë për vendin dhe nuk ka qenë kurrë një rastësi karriere. Spiropali kujtoi orientimin historik të vendit drejt Perëndimit, që nga kërkesa për integrim në Europë në kohën e tranzicionit, vendimi për anëtarësim në NATO dhe rruga drejt Bashkimit Europian. Ajo e konsideron detyrën e saj si Ministre të Jashtme jo thjesht një funksion, por pjesë të një narrative historike që sheh Shqipërinë si pjesë të pandashme të Perëndimit politik.
Në reagimin e saj, Spiropali falenderoi Partinë Socialiste dhe Kryeministrin për besimin e dhënë gjatë karrierës së saj politike, duke theksuar se mirënjohja është kulturë politike dhe jo nënshtrim personal. Ajo nënvizoi rëndësinë e modelit politik që ka ndërtuar së bashku me partinë. Një Shqipëri që lëviz nga psikologjia e tranzicionit drejt normalitetit europian, duke zgjedhur reforma kur ishte më e lehtë të zgjidhej kompromisi dhe duke mbajtur përgjegjësi kur populizmi ofronte duartrokitje të shpejta.
Spiropali shtoi se politika nuk është zotërim apo pronësim i individëve, por institucionet janë më të mëdha se çdo person. Sipas saj, individët japin frymë, ton dhe karakter këtyre institucioneve dhe dinjiteti i shtetit mbrohet jo vetëm me marrëveshje dhe dokumente, por edhe me qëndrimin që mban kur përfaqëson flamurin e vendit përballë të tjerëve. Ajo përmendi shembuj historikë të burrështetasve europianë si De Gasperi dhe Schuman, duke i cilësuar si modele të shërbimit publik mbi parime dhe jo kalkulime afatshkurtra.
Spiropali nënvizoi se vendimet politike janë pjesë e një vizioni më të gjerë dhe duhet të respektohen, por historia personale e secilit nuk matet me kohëzgjatjen e mandatit apo fuqinë e përkohshme politike, por me gjurmën që lë në kulturën politike dhe morale të vendit. Ajo theksoi rëndësinë e besnikërisë ndaj idealeve dhe jo ndaj komoditetit, duke kujtuar se e majta europiane në Shqipëri nuk është retorikë, por përpjekje për drejtësi sociale, shtet funksional dhe integrim të pakthyeshëm në Bashkimin Europian.
“Pozicionet janë kalimtare, ndërsa gjurma është zgjedhje e vetëdijshme,” përfundon postimi i saj.



