back to top
17.5 C
Tirana
E enjte, 19 Mars, 2026
spot_img
KreuOpinion dhe AnalizëXheni Keqi dhe beteja për qytetin/ Një grua kundër abuzimit urban

Xheni Keqi dhe beteja për qytetin/ Një grua kundër abuzimit urban

Nga Hysen Myzyri

Në se do të binte rasti të takoje Xheni Keqin, Drejtoreshën e Koordinimit të Projekteve pranë IMT-së, Bashkia Tiranë në pamje të parë, për syrin e zakonshëm dhe për një vesh të mësuar me paragjykime të shpejta gjuhësore, mbiemri “Keqi” mund të krijojë një disonancë të lehtë, një lloj ironie të pavetëdijshme. Në një lexim thjesht etimologjik apo, më saktë, në një perceptim vulgar-linguistik, ai tingëllon si një shenjë negative, si një ogur i vogël semantik që të shtyn drejt një gjykimi të nxituar.

Por realiteti, si gjithmonë, është më i thellë se fjala. Sepse në rastin e Xheni Keqit, kemi një përmbysje të bukur të raportit midis emrit dhe veprës. Ajo që në sipërfaqe mund të tingëllojë si “e keqe”, në thelb shfaqet si një praktikë e mirë, shumë e mirë për të mos thënë e shkëlqyer në shërbim të interesit publik. Këtu kemi një shembull të pastër të asaj që linguistika do ta quante ndarje midis shenjuesit dhe të shenjuarit: fjala nuk përkon me realitetin, dhe realiteti triumfon mbi fjalën.

Në këtë kuptim, veprimi i saj nuk përmban asnjë konflikt roli. Përkundrazi, ai është një përputhje e rrallë midis funksionit publik dhe etikës së ushtrimit të tij.

Ajo nuk është thjesht një nëpunëse që zbaton urdhra, ajo është një hallkë që funksionon me koherencë në një mekanizëm më të gjerë institucional, duke i dhënë kuptim konkret ligjit në terren. Kjo është pikërisht ajo që përshkruan Max Weber kur flet për nëpunësin racional: “një figurë që nuk vepron sipas kapriçove personale, por sipas një rendi të brendshëm profesional, ku ligji dhe detyra bashkohen në një disiplinë të vetme”.

Madje, mund të thuhet se ky kontrast i jep edhe më shumë forcë figurës së saj një lloj ironie e heshtur që e bën rezultatin më domethënës. Sepse në një shoqëri ku shpesh emrat e mëdhenj nuk përkojnë me veprat, këtu kemi të kundërtën pra një emër i zakonshëm, që shoqërohet me një punë të shkelqyer dhe të dobishme për të gjithë.

Me përkushtimin e saj ajo ia ka dalë në një qytet që për vite të tëra ka jetuar mes tensionit të së drejtës dhe abuzimit, mes ligjit dhe “të fortit”, duke qënë figura e një nëpunësi të përkushtuar që merr një dimension që shkon përtej administratës dhe bëhet simbol. Në këtë kuptim, Xheni Keqi, në rolin e saj si Drejtoreshë e Koordinimit të Projekteve në IMT pranë Bashkisë Tiranë, mund të shihet jo thjesht si një funksionare, por si një figurë që mishëron një ide: rikthimin e rendit në hapësirën publike.

Në një gjuhë popullore, pa ngarkesa akademike, ajo mund të quhet me të drejtë “Mbretëresha e Mbrojtjes së Pronës Publike”. Jo për retorikë, por për faktin se në një realitet ku prona publike është trajtuar si plaçkë pa zot, ndërhyrja e saj dhe strukturave që ajo koordinon ka pasur efektin e një kthjellimi të fortë shoqëror. Sepse e vërteta është e thjeshtë dhe e dhimbshme për vite, qyteti u mbush me “tahmaqare” që mbinë si kërpudha. Çdo cep i lirë u pushtua, çdo trotuar u zgjat në favor të tavolinave të kafesë, çdo hapësirë publike u trajtua si pronë private. Kafenetë zgjatnin “hundën” deri në rrugën e makinave, ndërsa qytetari i thjeshtë detyrohej të ecte në asfalt, mes rrezikut dhe kaosit.

Ironia ishte therëse sepse ata që zinin hapësirën publike, shpesh ishin po ata që ankoheshin për mungesë shteti, drejtësie dhe mundësish. Në këtë kontekst, ndërhyrja nuk ishte thjesht administrative, por jetësore dhe politike. Ajo rikthente me dhimbje një parim themelor se hapësira publike është e përbashkët dhe e paprekshme nga interesat private.

Këtu merr kuptim perseri reflektimi i Max Weber mbi burokracinë dhe nëpunësin ideal. Për Weber-in, nëpunësi nuk është thjesht zbatues mekanik, por një instrument racional i shtetit, i cili “plastelon” formëson në mënyrë të saktë dhe të disiplinuar vullnetin politik brenda kornizave ligjore.

Dhe pikërisht kjo është realizuar me shume guxim prej Xhenit duke na paraqitur në rastin konkret një përputhje mes vizionit politik për mbrojtjen e pronës publike dhe zbatimit rigoroz administrativ. Rezultati nuk është vetëm juridik, por edhe estetik.

Sepse uzurpimi i pronës publike nuk ishte vetëm një shkelje ligji, por ishte dhe është përsëri megjithe ndërhyrjet e shumta një deformim i shëmtuar i qytetit. Ndërtime që rriteshin pa kriter, kate që shtoheshin natën, zgjerime anësore që ngushtonin frymëmarrjen urbane, depozita uji e struktura të improvizuara që e kthenin qytetin në një peizazh kaotik, pothuajse apokaliptik.

Një qytet që rrezikonte të dukej sikur kishte kaluar një luftë të humbur keqazi. Në këtë sfond, puna e përkushtuar e Xheni Keqit dhe strukturave që ajo drejton ka prodhuar një efekt që mund të përshkruhet si një “rikthim simbolik i pronës tek publiku”. Hapësira të tëra janë çliruar, trotuare janë rikthyer për qytetarët, dhe një ndjenjë e re e rendit ka filluar të marrë formë.

Madje, në një lexim më të guximshëm, mund të thuhet se ajo i ka “dhuruar” publikut në kuptimin e rikthimit të së drejtës më shumë hapësirë sesa dekada të tëra politikash që shpesh e toleruan ose e nxitën në heshtje grabitjen. Sepse ndonjëherë, akti më i madh politik nuk është krijimi i diçkaje të re, por rikthimi i asaj që i përket të gjithëve. Në fund, kjo histori nuk është vetëm për një individ.

Është për një moment reflektimi shoqëror për mënyrën si e trajtojmë të përbashkëtën, për raportin tonë me ligjin dhe për faktin se qyteti nuk është një hapësirë për t’u pushtuar, por një organizëm për t’u respektuar. Dhe, për herë të parë pas shumë kohësh, Tirana po fillon të marrë frymë më lirshëm.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat