Ngjarja e rëndë e ndodhur sot në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua me armë zjarri dhe humbi jetën, ka tronditur opinionin publik dhe sistemin e drejtësisë në vend. Ai ishte një nga gjyqtarët më me përvojë, i konfirmuar nga procesi i Vettingut, dhe me një karrierë të gjatë në gjyqësorin shqiptar.
Astrit Kalaja ishte me origjinë nga Shkodra. Pas përfundimit të shkollës së mesme, ai vijoi studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua si jurist.
Në vitin 2011, ai përfundoi edhe studimet pasuniversitare, duke marrë një Master pranë Universitetit të Tiranës, çka e pajisi me një formim të plotë profesional në fushën e drejtësisë.
Karriera në gjyqësor
Kalaja nisi karrierën e tij si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër. Për shkak të profesionalizmit dhe përvojës, shumë shpejt ai u ngjit në shkallët e sistemit të drejtësisë.
Në vitin 2004, ai u emërua gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, ku shërbeu për shumë vite duke shqyrtuar çështje të rëndësishme civile dhe penale. Më vonë, ai transferohet në Gjykatën e Apelit Tiranë, ku vazhdoi detyrën deri ditën tragjike të vrasjes së tij.
Gjatë karrierës së tij, Kalaja ka qenë edhe anëtar i Kolegjit Zgjedhor, organ i posaçëm që shqyrton ankesat për proceset zgjedhore, një nga funksionet më delikate dhe të rëndësishme për demokracinë shqiptare.
Vettingu dhe rikonfirmimi në detyrë
Në kuadër të Reformës në Drejtësi, Astrit Kalaja iu nënshtrua procesit të Vettingut. Në dhjetor 2019, ai u rikonfirmua në detyrë, duke kaluar me sukses të tre kriteret e rivlerësimit: atë të pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale.
Ky fakt e forcoi edhe më shumë pozicionin e tij si një prej gjyqtarëve më të qëndrueshëm dhe me reputacion të mirë në sistemin shqiptar të drejtësisë.
Kolegët dhe njohësit e sistemit gjyqësor e kanë përshkruar si një gjyqtar të përkushtuar, të qetë dhe korrekt në vendimmarrjet e tij. Ai kishte fituar reputacion për integritetin e tij dhe për faktin se i përmbahej ligjit, pavarësisht vështirësive dhe presioneve të kohës.
Fundi tragjik
Sot, gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën e Apelit në Tiranë, gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua me armë nga Gjon Shkambi, i cili u identifikua si autori i krimit. Ngjarja ndodhi brenda sallës së gjyqit, duke e kthyer këtë institucion në skenë tragjedie. Përveç gjyqtarit, mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, babë e bir.



