Nga Frrok Çupi
Për tre ditë, këtë të diele, në Kosovë mbahen zgjedhjet e përgjithshme Parlamentare.
Kosova i bën këto zgjedhje në kushtet e gjysmë- izolimit nga bota perëndimore. Qeveria Kurti e ka sfilitur dhe e ka shtënë vendin në një shteg të ngushtë pa dalje, pa aleatët perëndimorë, në një lak ekonomie, në një botë iluzioni e mashtrimi, në sanksione dhe neveri nga vetë fuqitë që i dhanë frymë dhe fuqi Kosovës që të bëhej shtet.
Albin Kurti po çmendet nëpër tribuna plot ulërima, arrogance dhe të pavërteta. Militantët e tij kanë pushtuar faqet e mediave sociale dhe kërcënojnë cilindo që nuk do Kurtin. Europa ka ndërruar ‘kalin në lëmë’, domethënë zyrtarin që do të udhëheqë negociatat me Serbinë. Departamenti i Shtetit ka thërritur urgjent presidenten Vjosa Osmani.
Asgjë nga këto nuk ndryshojnë asgjë në Kosovën e dominuar nga VV e Kurtit. Akoma më keq do të jetë Kosova, nëse ditën e diele qytetarët e saj do të gabojnë rëndë.
Vetëm një thirrje e Shteteve të Bashkuara mund të ndajë botën kosovare mes të keqes dhe jo- të keqes. SHBA u bëri thirrje drejtpërdrejt qytetarëve të Kosovës: ‘Mos e votoni Albin Kurtin. Të gjithë në Perëndim jemi kundër tij.. Mos u mashtroni!’.
Askund në botë aleati më i madh dhe më i afërt i një etnie shtetërore nuk e ka thënë kaq qartë çfarë duhet të bëjë me veten një popull, nëse nuk do që të gabojë. Një popull gabon, patjetër që ka të drejtë të gabojë, ka të drejtë sepse populli e paguan vetë gabimin. Kjo po peshohet këto tre a katër ditë në Kosovë.
Këtu mblidhen, si rrallë herë, të gjithë faktorët.
Kurti, faktori që përbën rrezik:
Ky këtu ka qenë, i njëjti. Solli kriza në Kosovë e në rajon, vuri në siklet të madh vetë aleatët si SHBA dhe BE, e la vendin pa investime, krijoji në botë paradigmën dyshuese se ‘u nxituam kur e bëmë’, e përkeqi emrin Kosovë si shtet i pabesueshëm, ngriu në akull çdo marrëdhënie me institucionet perëndimore, por edhe nuk dëshmoi qartazi se me cilin është në këtë botë. Qysh në fillim, Kurti kishte qenë kundër themelimit të shtetit kosovar, por kur e bënë të tjerët, ky tha ‘pse të mos marr lugën?’.
Serbia, që sa herë flitet, lidhet me Kosovën, është po ajo që ishte.
Veçse ka marrë vlera para komunitetit ndërkombëtar për shkak se Kurti ka qenë i padrejtë ndaj serbëve etnik në Kosovë dhe ndaj komunave serbe. Për Kurtin janë dy Serbi:
Njëra që e di ai vetë dhe tjetra që ua lëshon përpara kosovarëve popull. Për popullin ‘Serbia është e zeza, fqinj i keq, shkaktare edhe e vetë faktit se Kurti gënjen në çdo gjë që thotë. Populli jeton e ha bukën thatë me gëzimin se ‘po e mundim Serbinë’.
Ndërsa Serbia e dytë është ‘Serbia e Albinit’. Serbinë, Kurti e ka shpallur ‘regjim të Kosovës’. Çdo gjë, mirë apo keq, ekziston në Kosovë për shkak se ekziston Serbia.
Rich Grenell, diplomati amerikan, është i njëjti që ishte.
Ishte i dërguar i SHBA për rajonin në kohën kur u konstatua se Kurti ‘po i nxirrte rrënjët Kosovës’; dhe nuk u pajtua. Është i njëjti sot, veçse në një mision më lart e më pranë presidentit Trump. Pardje, Grenell, në emër të presidentit të SHBA bëri thirrje: “Hiquni me Albin Kurtin’. Sot ka thërritur në Uashington presidenten Osmani, me shpresë se ‘do të mund të bëjë ndonjë akt të mirë’. Këta të Kurtit në Kosovë po mendojnë se ‘Grenell është Grenell, e ka me inat me Kosovën dhe me Kurtin’. Albini doli në frëngjinë e kullës dhe lëshoi piskamën kundër Grenell: “Pushkët i kemi plot…!’.
Të gjithë faktorët duken njësoj.
Por nuk është njësoj Donald Trump, president i Amerikës.
Kosova erdhi në këtë pikë për shkak se ‘ishin siç ishin’, domethënë ‘tërhiq e mos këput’, mblidhu në Bruksel, por nuk vjen Kurti, vendos BE po nuk zbaton Kurti. Prej kohe u kapën pas formulave të shteruara, procese ngritur mbi iluzion, marrëveshjeve bazuar në fantazi dhe Kosovë e mbytur nga gënjeshtra. Ajo epokë mbaroi; tani është Donald Trump.
Ky është ndryshimi. Trump nuk është këtu për të lajkatuar, as për të zbutur, as për të ekuivoke, as për të lëshuar fjalë për Kosovën se ‘ju kemi në zemër, po deshët bindeni Kurtin se po iu merr në qafë’. Jo.
Donald Trump bën ndryshimin, ai është këtu për të vendosur tabelën.
Pardje, në atë tabelë u lexua hapur nga të gjithë: ‘Mos u mashtroni nga Kurti’.