Rrjeti prestigjioz ndërkombëtar i pasurive të patundshme, “Forbes Global Properties”, ka hapur aktivitetin e tij në Shqipëri përmes përfaqësuesit ekskluziv Capital Point. Ngjarja u zhvillua në Pallatin e Brigadave, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi rëndësinë e pranisë së një rrjeti kaq prestigjioz në vend:
“Është një arritje mjaft e madhe. Sot Shqipëria është një destinacion shumë tërheqës dhe kjo është një gjë e mirë. ‘Forbes Properties’ është një lajm shumë i mirë për të gjithë ata që janë të përfshirë në industrinë e pasurive të paluajtshme, por është po ashtu lajm i mirë edhe për shqiptarët, sepse nënkupton se pronat, pasuritë e tyre, po marrin gjithmonë e më tepër vlerë.”
Rama shtoi se investitorët ndërkombëtarë shkojnë aty ku shohin potencial të vërtetë dhe se prania e tyre në Shqipëri tregon besimin ndaj zhvillimit ekonomik dhe tregut të pasurive të patundshme. Ai theksoi gjithashtu rritjen e pritshme të vlerës së pronave në vend, sidomos me integrimin e vendit në Bashkimin Evropian në vitet e ardhshme.
Ngjarja shënon një hap të rëndësishëm drejt tërheqjes së investimeve të huaja dhe promovimit të Shqipërisë si një destinacion konkurrues në tregun ndërkombëtar të pasurive të paluajtshme./E.S