back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024
spot_img
KreuOpinion dhe AnalizëNjë thikë virtuale në zemrën e shoqërisë

Një thikë virtuale në zemrën e shoqërisë

Nga Ilir Metaj

Nëse një shekull më parë, shkrimtarët klasikë, paralajmëronin për rënien morale të shoqërisë, kushedi çfarë do të shkruanin Fitzgerald, Orwell apo Kamy, sot në epokën e TikTok-ut dhe Snapchat-it?

Sepse, këto nuk janë më aplikacione të pafajshme, por vatra helmuese që kanë shndërruar ekranet e vogla në skena gjaku, injorance dhe shkatërrimi. Platforma që, si ‘black hole’, përpijnë çdo vlerë njerëzore, duke i kthyer (sidomos)adoleshentët tanë( por jo vetëm) në masa amorfe virtuale, që ofrojnë dhunën, antikulturën dhe antivlerat, si spektaklin e ditës.

Vrasja e një 14-vjeçari nga bashkëmoshatari i tij, është më shumë se një tragjedi. Është një kambanë klithëse alarmi që duhet të zgjojë një shoqëri të mpirë nga indiferenca e saj. Sepse kur një adoleshent mban thikën në dorë, e me të, merr një jetë të pafajshme dhe më pas poston foton e “triumfit” në Snapchat, kjo nuk është më një ngjarje e izoluar. Është një manifest i shëmtisë e degradimit tonë kolektiv, prova më e thekshme se kemi dështuar si prindër, si mësues, si shoqëri.

Fëmijët nuk lindin të dhunshëm; ata mësojnë të jenë të tillë. Dhe ne jemi mësuesit e tyre.

Nga lojërat e padëmshme tek arenat e të keqes

TikTok-u dhe Snapchat-i( sidomos, por jo vetëm),nuk janë më hapësira për argëtim; ato janë kthyer në arenat moderne ku glorifikohet çdo formë e poshtërsisë. Ato janë shtëpitë e përditshme të antivlerave, ku një algoritëm që s’di të ndalojë    ( shpesh vetëm në vdekje), promovon dhunën dhe injorancën si “mallrat” më të shitura të ditës. Çdo trend i ri në TikTok është një thirrje për të shkelur kufijtë e moralit, ligjit dhe njerëzillëkut. Çdo “story” në Snapchat është një ekspozim i shpirtit të kalbur të një pjese brezi, që ka harruar se çfarë do të thotë të jesh njeri.

Sfidat e rrezikshme të TikTok-ut, nga vetëdëmtimi deri te aktet poshtëruese, janë një konkurs global për “lavdi” të momentit. Në Snapchat, çdo krim dokumentohet dhe shitet si një triumf. Kur vrasja bëhet temë për “snap-e”, kur dhuna është një garë për “likes”, çfarë tjetër duhet të ndodhë për t’u zgjuar nga ky makth? Një brez që rritet duke glorifikuar injorancën,dhunën, aktet më të ulëta, është një brez që do ta lërë këtë botë më bosh dhe më të errët se sa e ka gjetur.

Por këto platforma nuk janë krijuesit e dhunës e antivlerave; ato janë amplifikuesit. Ato janë pasqyra që na tregojnë një shoqëri në shpërbërje, ku vlerat e prindërimit kanë mbetur relike të së shkuarës.

Kriza e prindërimit: Fëmijët e lënë në dorë të algoritmit

Por TikTok-u dhe Snapchat-i janë vetëm gjysma e problemit. Gjysma tjetër, dhe ndoshta më e errëta, gjendet në shtëpi. Në kohën tonë, prindërimi ka kaluar nga një mision i shenjtë në një mision të braktisur- të dalë mode. Prindërit e sotëm, të dehur nga teknologjia,falsiteti, egoizmi,deliri apo lodhja, nuk janë më udhëheqësit shpirtërorë e moralë të fëmijëve të tyre. Ata janë bërë spektatorë pasivë në jetën e tyre, duke ia dorëzuar edukimin një algoritmi.

Sot, shumë prindër janë autorët e parë të krizës së fëmijëve të tyre – shpesh jo duke bërë diçka, por duke bërë asgjë. Një fëmijë që e kalon ditën duke kërkuar dashuri dhe vëmendje, por gjen vetëm një ekran në vend të prindit, mëson që lidhjet njerëzore janë të pavlera. Një fëmijë që rritet duke parë prindërit e tij të dehen nga antikultura,dembelizmi, pasuria pa punë, fama pa dinjitet, suksesi pa integritet – bëhet patjetër  produkt i këtyre antivlerave.

Çfarë shembulli jemi duke dhënë kur qepim gojën përballë vrasjes dhe dhunës, por shqyejmë shpirtin për “lavdinë” e  gjithçkaje që ‘shkëlqen në ‘touch screen’? Çfarë mësimi marrin fëmijët kur shohin prindërit e tyre të jenë skllevër perversë të celularëve dhe rrjeteve sociale? Kjo është tradhtia më e ndyrë ndaj detyrës së shenjtë të prindit : të jenë ata të parët-pasqyrë e vlerave dhe moralit.

Dhe mosveprimi është po aq me pasoja sa veprimi i gabuar. Kur një prind zgjedh të mos dijë çfarë shikon e mendon fëmija i tij, kur një prind zgjedh të mos vendosë filtra ose kufij, ai bëhet bashkëfajtor në çdo akt antivlere apo dhune që pason. Kur fëmija kthehet në autor krimi, nuk është më një tragjedi, por një dënim masiv ekstrem, për një shoqëri që ka harruar çfarë do të thotë prindërim.

Familja në kolaps: Rënia e kalasë së fundit

Familja, dikur kështjella e fundit e moralit dhe vlerave, tani është bërë si trupi pa skelet. Fëmijët rriten si jetimë të shpirtit, duke gjetur vlera tek aplikacionet dhe trendet që i përdorin si kavie për eksperimente sociale. Dhe kur këta fëmijë shndërrohen në produkte të dhunës, antikulturës,egoizmit, të gjithë kthejmë kokën nga njëri-tjetri, duke fajësuar gjithçka e këdo! Përveç vetes.

Një brez që rritet pa vlerat e jetës, pa moral dhe pa kufij, që harron librin e dijen, që adhuron injorancën e gangsterin,është një brez që do të shkatërrojë veten, të tjerët dhe të ardhmen. Çfarë mund të presim kur fëmijët tanë mësojnë se dhuna shpërblehet me pëlqime, se jeta njerëzore është një “video story” që zhduket pas 24 orësh? Çfarë mund të presim kur një familje që dikur edukonte dijen dhe respektin tani “edukon” antivlerën dhe dhunën?

A Ka Shpresë? Po, por jo nëse heshtim

( Të paktën) heqja e këtyre dy aplikacioneve nga qarkullimi nuk është censurë; është vetëmbrojtje. Është një akt emergjence për të ndaluar( së paku provuar) një epidemi morale që po shkatërron çdo dimension të së ardhmes sonë. Nuk mund të pranojmë më që injoranca,dhuna dhe krimi të jenë skena argëtimi për një botë virtuale që ka harruar njerëzillëkun.

Nëse sot heshtim, nesër nuk do të jetë vetëm një fëmijë viktimë. Do të jenë dhjetëra, qindra. Dhe nëse sot prindërit nuk zgjedhin të jenë prindër, nesër nuk do të kenë asgjë për të mbrojtur, sepse  kemi kontribuar në ndërtimin e një bote ku jeta është vetëm një klik, një like, një story që do të zhduket,duke lënë asgjë në kujtesë.

Në vend të mbylljes: Reflekto sot, ose hesht përgjithmonë

Kjo nuk është më thjesht çështje teknologjie; kjo është betejë për shpirtin e një brezi. Një betejë për të shpëtuar fëmijët nga bota e ligë që kemi ndërtuar( qoftë edhe pa dashur) me duart tona dhe që po i zhyt shpirtrat e tyre( pas tanëve)në errësirë. Nëse nuk veprojmë tani, nesër do të jetë vonë, tepër vonë.

E ardhmja nuk mund të jetë injoranca dhe dhuna brenda një “touch screen”. E ardhmja duhet të jetë një kthim te vlerat,  kultura, parimet,shkolla, puna dhe djersa, por mbi të gjitha: një kthim te dashuria dhe respekti për jetën. Kthim në PRINDËRIM! Kthim në FAMILJEN E VËRTETË! Sepse nesër, ajo viktimë mund të jetë fëmija juaj. Ose më keq, vrasësi.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat