Deputeti i PD-së, Flamur Noka, ka folur për mediat pas mbylljes së seancës plenare, ku ka komentuat replikat mes koleges demokrate Ina Zhupa dhe deputetit të PS-së Erion Braçe, Noka tha se fjalori i Zhupës ishte korrekt, kurse i Braçes ishte fjalor rruge dhe horrash.
Fjala e sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka:
Kanë filluar agresojnë me fjalor vulgar dhe banal opozitën.
Jemi këtu për të dënuar fjalorin e përdorur nga deputeti Erion Braçe ndaj koleges tonë, Ina Zhupa.
Një fjalor i tillë është i denjë për kanalet e horrave dhe të krimit, por kurrë nuk është i denjë për një përfaqësues të popullit.
Dhe ajo që është për t’u shqetësuar më shumë, këto zonja deputete të aleancës së grave të rilindjes, që dikur ne buzëqeshnim në formën që nuk u pëlqente, na akuzonin se i bullizonim, sot e duartrokitën zotin Braçe, në vend që ta dënonin.
Por zonja Ina Zhupa po e vinte me shpatulla për muri ministren Manastirliu, qoftë për situatën e arsimit, qoftë për vrasjen e 14-vjeçarit.
Zonja Zhupa përdori një fjalor korrekt dhe krejt normal.
Në anët tona, kur tjetri e tepron me artikulimin me gojë, i thuhet mos ha miza.
Zonja Zhupa nuk e tha këtë, por e përmendi vetëm me iniciale.
Tani, në rast se mizat i shqetësojnë, kjo është çështje e tyre, por fjalori i zonjës Zhupa ishte tërësisht korrekt.
Kurse fjalori i kolegut tjetër ishte fjalor horrash, fjalor rruge, nuk ishte fjalori i parlamentit.
Të trembur nga situata politike, ata gjetën zgjidhje, për të shpëtuar Ogertën, mbyllën parlamentin.
Kjo tregon se ky nuk është parlament i shqiptarëve.
Sepse parlamenti ka zhvilluar seanca pa fund pa opozitën, kurse sot që, një ditë që ishte opozita dhe mazhoranca u tremb, e mbyllën.
Të jeni të qetë, të dashur qytetarë shqiptarë, opozita vazhdon në rrugëtimin e saj, atyre u ka hyrë tartakuti.
Por ne kemi detyrë, kemi mision që të ecim në këtë drejtim dhe do i shihni, jo vetëm që do ikin nga parlamenti, por nuk do gjejnë vrimë ku të hyjnë nga vota e qytetarëve.