Pas dy javësh në arrati, është arrestuar Majlinda Demollari, noterja 57-vjeçare që ishte shpallur në kërkim për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka përpiluar dy kontrata të ndryshme për shitjen e të njëjtit apartament. Arrestimi i saj u bë i mundur nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në kuadër të operacionit policor të koduar “Apartamentet”.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, Demollari përpiloi kontratat duke shpërdoruar funksionin e saj si notere, duke i hapur rrugë mashtrimit të dy qytetarëve që besuan se po blinin një pronë legjitime.
“Pas konsultimit me prokurorin, për shtetasen M.D., 57 vjeçe, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’”, thuhet në deklaratën e Policisë.
Majlinda Demollari është një emër i njohur në qarqet e noterisë dhe është komentuar shpesh në media si “noterja e oligarkëve”, për shkak të shërbimeve të saj për biznesmenë të fuqishëm dhe figura me ndikim. Megjithatë, emri i saj është përmendur më herët edhe në investigime mediatike për çështje të dyshimta të pronësisë.
Hetimi për këtë çështje nisi pas denoncimeve të dy shtetasve, të cilët pretenduan se ishin mashtruar. Në lidhje me këtë rast janë arrestuar edhe Marjo Qose, 31 vjeç, dhe Nani Kolovani, 48 vjeç. Qose akuzohet se i ka marrë një shtetasi 75 mijë euro përmes mashtrimit për një apartament që pretendonte se do ta blinte për llogari të tij. Ndërkohë Kolovani kishte shitur dy herë të njëjtin apartament.
Pikërisht për këtë apartament është identifikuar dhe roli i noteres Demollari, e cila u shpall në kërkim në korrik të këtij viti dhe u kap pas dy javësh në arrati.