Tekniku i Juves, Motta dha mendimin e tij para takimit ndaj Cagliarit.
“Jemi të zhgënjyer, të trishtuar dhe të zemëruar sepse donim të ishim në 1/8 e Champions-it. Askush nuk është i lumtur. Gjëja më e mirë tani është të rikthehemi në fushë dhe të rifillojmë me një fitore”.
Dëshira për t’u rikthyer në fushë dhe gjendja e skuadrës: “Pas një zhgënjimi të tillë, gjëja më e mirë është të rikthehemi dhe të hyjmë në fushë. Kemi një ndeshje shumë të vështirë ndaj Cagliarit. E njohim kundërshtarin dhe e dimë vështirësinë e ambientit. Synimi është të fitojmë për të vazhduar rrugëtimin tonë”.
Weah si mbrojtës i djathtë: “Ky është roli i tij, e shoh mirë. Detyra e parë e një mbrojtësi të djathtë është të mbrojë, të jetë agresiv dhe të fitojë duelet. Ai po fiton shumë prej tyre. Mund të përmirësohet shumë në këtë rol, mund të na ndihmojë edhe në fazën ofensive, duke ardhur nga prapavija. Është në formë të shkëlqyer, di edhe të shënojë”.
Mospërputhje vizionesh me lojtarët: “Komunikimi është i njëjtë. Unë jam i pari që bëj autokritikë. Zgjedhjet janë bërë për të arritur maksimumin në ndeshje. Zhgënjimi ekziston dhe është i madh. Mendonim se mund të kualifikoheshim, por nuk ia dolëm. Në fushë u pa që PSV ishte më mirë se ne, tani duhet të rifillojmë. Kemi një javë shumë të ngarkuar përpara, ndaj duhet të jemi të zgjuar e të përqendruar për të fituar”.
Zgjedhjet e formacionit pas zhgënjimit në Champions: “Nuk do të kemi në dispozicion Bremer, Milik, Cabal, Veiga dhe Kalulu. Sot do të zhvillojmë stërvitjen e fundit dhe do të shohim gjendjen e lojtarëve që janë në dyshim. Formacioni i nesërm do të hyjë në fushë me përqendrim maksimal dhe angazhim, si gjithmonë. E dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë në Cagliari. Më e rëndësishmja është të rifillojmë. Ndeshja e ardhshme është gjithmonë më e rëndësishmja. Na duhet një paraqitje e madhe për ta merituar fitoren”.
Më pak posedim dhe më shumë topa të gjatë: “Duhet të përmirësojmë çdo aspekt të lojës dhe të kuptojmë çfarë është më e mira për ta vënë kundërshtarin në vështirësi. Të dhënat janë të rëndësishme, por duhet analizuar edhe ajo që ndodh në fushë. Gjëja më e rëndësishme është fitorja, jo posedimi. Ka shumë variabla në futboll. Disa herë kemi qenë superiorë dhe kemi fituar, disa herë kemi qenë superiorë dhe nuk kemi fituar, të tjera herë nuk kemi qenë më të mirët dhe kemi humbur. Këto janë situata që duhen analizuar. Me PSV-në u pa që pas minutës së 60-të, në aspektin e intensitetit dhe qartësisë mendore, ata filluan të na shtynin mbrapa dhe ne patëm vështirësi. Së fundmi kemi luajtur më vertikalisht, është e vërtetë, por duhet të kuptojmë momentet e lojës. Jemi një ekip i ri dhe po rritemi”.
Rreth Alberto Costa: “E shoh shumë mirë që kur ka ardhur. Është shumë i vëmendshëm dhe kupton menjëherë çfarë duhet bërë në fushë. Ka një fizik të rëndësishëm për moshën e tij. Jam i bindur se kur të vijë mundësia e tij, do të bëjë shumë mirë. Po rritet çdo ditë në stërvitje. Ka ardhur me shumë uri për sukses. Është i lumtur te Juve, por dëshiron të tregojë vlerën e tij. Jam shumë i kënaqur që e kam në skuadër”.
Vlerësim edhe për Conceicao: “Është shumë i ri. Ka fituar përvojë tek Ajax dhe Porto, pastaj erdhi te ne. Po na jep shumë, por ende ka hapësirë për përmirësim. Duhet të kuptojë kur të driblojë, kur të pasojë apo kur të krosojë. Duhet t’i kuptojë mirë fazat e ndeshjes, por qëndrimi i tij është i shkëlqyer. Është i vëmendshëm, dëgjon, rritet dhe përmirësohet. Është një djalë që do të na japë edhe më shumë”.
Deklaratat pas PSV-së për zgjedhjet e bëra: “Çdo ditë bëj autokritikë. Nuk më nevojitet një humbje për ta bërë këtë. Çdo zgjedhje bëhet për të marrë maksimumin nga skuadra në atë moment. Respektoj mendimet e të tjerëve, por vazhdoj në rrugën time, e cila është e duhura. Nuk mund të kthehemi pas, duhet të ecim përpara. Jemi të zhgënjyer, të trishtuar dhe të zemëruar të gjithë. Donim të ishim në 1/8 finale të Champions-it. Urime PSV-së, sepse ishin më të mirë se ne”.
Vlahovic, titullar ndaj Cagliarit: “Ka mundësi ta shohim titullar, si të gjithë të tjerët. Ka mundësi të luajë me Kolo Muani, siç ka ndodhur më parë. Zgjedhjet bëhen për të marrë maksimumin nga skuadra në atë moment”.
Lëndimet: “Kështu është futbolli sot. Edhe skuadrat e tjera që luajnë shumë si ne kanë dëmtime. Nuk është çështje fati”.
Yildiz ka luajtur më pak: “Çdo zgjedhje që bëj është për të marrë maksimumin. Kur ka luajtur, ka qenë sepse e ka merituar, kur nuk ka luajtur, ka qenë sepse të tjerët e kanë merituar më shumë. Jam i kënaqur me të, por nuk mund të luajnë të gjithë”.
A i ka kuptuar skuadra gabimet me PSV-në: “Kuptuan gjithçka, bëmë maksimumin e mundshëm me të gjitha variablat në lojë. Janë djem inteligjentë dhe të aftë që shpesh kanë bërë shumë mirë. PSV ishte superiore në ndeshjen e fundit. Dialogu me skuadrën është i vazhdueshëm”.