Etleva Skonja
Arta Vorpsi, është një nga kandidatet për një vend në Gjykatën Kushtetuese, çka e bën situatën edhe më të ndjeshme për opinionin publik.
Vorpsi ka përfunduar Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1996 dhe më vonë ka marrë titullin “Doktor i Shkencave Juridike” në Universitetin e Vjenës, Austri, në vitin 2001. Gjatë karrierës së saj, ajo ka punuar si Drejtore e Studimeve dhe Botimeve, si këshilltare ligjore pranë Gjykatës Kushtetuese, dhe është lektore e së drejtës kushtetuese dhe të drejtave të njeriut.
Emërimi dhe betimi i diskutueshëm
Në vitin 2019, Arta Vorpsi u emërua anëtare e Gjykatës Kushtetuese nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED). Megjithatë, ajo vendosi të bëjë betimin e saj përpara një notere, Miranda Xhemalçe, dhe jo përpara Presidentit të Republikës, siç kërkon Kushtetuta. Vorpsi dërgoi më pas kopje të aktit të betimit te Presidenti, KED dhe Gjykata Kushtetuese, duke hyrë në detyrë pa respektuar ritualin tradicional. Ky veprim u kritikua nga media dhe ekspertët e së drejtës, të cilët e cilësuan si shkelje të hapur të Kushtetutës.
Sipas dokumenteve publike, Vorpsi nuk ka kaluar testet e nevojshme të Magjistraturës në vitin 2018, duke marrë 57 pikë, kur niveli minimal ishte 60. Megjithatë, ajo u lejua të konkurojë për vendin në Gjykatën Kushtetuese dhe u përzgjodh nga KED, duke ngritur pyetje mbi kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve për institucionin më të lartë kushtetues.

Polemikat rreth legjitimitetit dhe kandidatura aktuale
Betimi përpara noteres dhe jo përpara Presidentit, si dhe rezultati i dobët në provimet për Magjistraturë, kanë nxitur dyshime për transparencën dhe pavarësinë e emërimeve në Kushtetuese.
Shkeljet formale dhe simbolet e kushtetuara, si betimi para Presidentit, konsiderohen thelbësore për të garantuar pavarësinë dhe legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese.
Si një nga kandidatët për Gjykatën Kushtetuese, rasti i saj vë në pah sfidat e reformës në drejtësi dhe nevojën për transparencë dhe respektim të rregullave kushtetuese në procesin e emërimeve në institucionet më të larta të vendit.



