Luis Enrike është përballur sot me Luis Suarezin, Zhordi Albën dhe Lionel Mesin. Dikur i drejtonte në fushë drejt suksesit te Barcelona, ndërsa sot i duhej t’i mposhtte si kundërshtarë në Botërorin e Klubeve. PSG-ja fitoi thellë 4-0 ndaj Inter Majemit, duke u kualifikuar në raundin pasardhës.
Luis Enrike i ka thurur elozhe Lionel Mesit në konferencën për shtyp. Trajneri i PSG-së ka thënë se ylli argjentinas është më i miri i të gjitha kohërave dhe këtë e dëshmon fakti se kulmi i tij në karrierë ka zgjatur mbi 10 vite.
“Për mua, padyshim që Lionel Mesi është futbollisti më i mirë në histori. Kulmi i karrierës së Mesit zgjati 10-15 vite. Ai është etaloni matës për lojtarin më të mirë në histori. Jetëgjatësia e tij zgjati për shumë vite, duke garuar në nivelin më të lartë çdo 3 ditë”, ka deklaruar Luis Enrike.