Pas dëshmisë së dhënë ditën e sotme në GJKKO të Nuredin Dumanit, i cili tha se dhëndri i vëllait të Nasip Naços,e ka ndihmuar që të dalë nga burgu përkundrejt pagesës, ka reaguar ish-ministri.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Naço është shprehur se distancohet nga çdo akuzë dhe ka ftuar autoritetet që të marrin masa ligjore ndaj çdo individi të përfshirë, në rast se akuzat vërtetohen.
Reagimi i ish-ministrit të Drejtësisë Nasip Naço:
Jam njohur sot nga mediat ku përmendet emri im. Dua të theksoj se:
Distancohem nga çdo akuzë e bërë publike sot dhe ftoj organet e drejtësisë që të kryejnë një hetim të thelluar mbi këtë rast. Nëse akuzat vërtetohen, organet përkatëse duhet të marrin masa ligjore ndaj çdo personi të përfshirë në këtë çështje.
Roli i Ministrit të Drejtësisë, sipas legjislacionit në fuqi, është i kufizuar. Ministri:
– Nuk heton,
– Nuk ngre akuza,
– Nuk pushon çështje,
– Nuk jep vendime fajësie apo pafajësie.
Detyra e tij lidhet vetëm me dhënien e lejeve të veçanta për të dënuarit, bazuar në ligj.
Gjatë ushtrimit të detyrës sime si Ministër i Drejtësisë, nuk kam miratuar asnjë leje të veçantë për subjektin në fjalë.
Distancohem nga çdo mashtrim, i bërë nga kushdo, individualisht apo në bashkëpunim, për të dëmtuar integritetin tim. Akuzat publike të bëra sot nuk përputhen me faktet reale të ushtrimit të detyrës sime si Ministër.
Faleminderit!
