Organizata e Kombeve të Bashkuara po redukton rreth një të tretën e personelit të saj ndërkombëtar në Rripin e Gazës për arsye sigurie.
Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres nuk mund ta garantojë sigurinë e personelit të OKB-së, tha zëdhënësja e OKB-së Alessandra Vellucci në një konferencë për shtyp në Gjenevë.
Prandaj rreth 30 nga 100 punonjësit ndërkombëtarë në Rripin e Gazës do të tërhiqen nga kjo zonë. Fjala është për personelin e Programit Botëror të Ushqimit (WFP), Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Fondit të OKB-së për Fëmijët (UNICEF).
Sulme me viktima kryesisht gra dhe fëmijë
Kjo masë merret pasi Izraeli rifilloi sulmet në Rripin e Gazës. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi javën e kaluar prej sulmeve janë vrarë të paktën 792 vetë, kryesisht gra dhe fëmijë. Megjithëse Izraeli ka shprehur dyshime mbi shifrat dhe numrit të vdekjeve të njoftuara nga Ministria e Shëndetësisë në Gazë, organizatat ndërkombëtare si OKB-ja i konsiderojnë ato si mjaft të besueshme.
Izraeli përforcon thirrjet për evakuim
Ushtria izraelite i ka shtuar kërkesat për evakuim drejtuar dhjetëra-mijëra banorëve të zonës bregdetare të Rripit të Gazës. Banorëve të të gjitha qyteteve kufitare në veri u është kërkuar të evakuohen, njoftoi ushtria izraelite. Nga zona kishin pasur sulme me raketa në drejtim të Izraelit. Qytetet e prekura janë Jabalia, Beit Lahija, Beit Hanun dhe Sheyaia në veri, si dhe zonat në Khan Yunis dhe Rafah në jug.
Izraeli ka krijuar edhe një institucion të ri, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit, detyra e të cilit është të “përgatisë largimin vullnetar të banorëve të Rripit të Gazës për në vende të treta në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar”.
Atyre që dëshirojnë të largohen nga zona e rrethuar bregdetare palestineze në brigjet e Detit Mesdhe duhet t’u mundësohet largimi “në përputhje me ligjet izraelite dhe ndërkombëtare si dhe në përputhje me vizionin e presidentit amerikan Donald Trump”, tha Ministria izraelite e Mbrojtjes në një deklaratë./DW