Integriteti i subjektit ishte një nga tri kriteret vlerësuese të vetingut në drejtësi. Vlerësimi profesional, vlerësimi pasuror dhe vlerësimi i integritetit u bënë motive kushtetuese dhe ligjore për largimin nga sistemi të rreth 50% të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përfshirë shumicën e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Reforma në drejtësi ishte “revolucion” eksperimental dhe në momentin që u pranua/u votua, u shndërrua në mekanizëm kushtetues në emër të reformave integruese, antikorrupsionit dhe mirëqeverisjes.
Në institucionet e reja bën pjesë edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), instanca e parë e vetingut në drejtësi. “Gjyqtarët” e gjyqtarëve dhe prokurorëve duhej të ishin me integritet të lartë, të pavarur, ekspertë dhe profesionistë të fushës. Bilanci dhe vlerësimi i tyre meriton analizë të gjatë, por Instituti i Studimeve Politike (ISP), i cili po monitoron integritetin e zyrtarëve të lartë në proceset politike dhe vendimmarrëse, mbështetur nga programi amerikan NED, në këtë shënim ka në fokus një prej rastve konkrete.
Në dhjetor 2024 KPK e mbylli mandatin. Sipas standardeve etike dhe të integritetit zyrtarët kanë kufizime dhe kushtëzime edhe për periudhën e shkurtër pas mandatit. Në rastin e KPK konstatojmë se njëri prej komisionerëve, Olsi Komiçi, brenda më pak se 90 ditëve ka hyrë në nivelet e larta politike duke u regjistruar si kandidat për deputet në listën shumëemërore të partisë politike në pushtet, PS.
E drejta e tij e kandidimit dhe deklarimet e tij elektorale vijnë në kontrast të thellë me betimin e kryer si komisioner në KPK për pavarësi dhe integritet, me funksionin e tij dhe statusin kushtetues. Përveç të tjerash, disa prej subjekteve të gjykuara nga zoti Komiçi janë ende në proces vlerësimi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA) dhe tashmë çdo i penalizuar nga vota e tij ka të drejtë të pretendojë edhe se “gjykatësi” mund të jetë ndikuar edhe nga bindje politike në votën e tij kundër.
Tregues simbolik kritik është edhe fakti se në formularin e regjistrimit të kandidatëve dërguar nga subjekti PS në KQZ, për zotin Komiçi është shënuar “Komisioner”, pra cilësimi në funksionin e pavarur kushtetues, cilësim i cili nuk është më në fuqi prej dhjetorit 2024, për pasojë është i pasaktë dhe shkelje e etikës. Ish-komisioneri tashmë kandidat për deputet në momentin e plotësimit të formularit mbante një post tjetër të lartë ekzekutiv, i cili iu dha në kuadër të promovimit publik/politik paraelektoral.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) respekton zgjedhjen e çdo individi dhe subjekti politik për përfshirje në politikë, por gjithashtu vlerësimin se standardet e integritetit dhe etikës institucionale do të duhej të ishin prioritare, kritere dhe parime udhëheqëse, pasi siç OECD me të drejtë vlerëson, “integriteti është gur themeli për mirëqeverisjen, si dhe parakusht i besimit dhe legjitimitetit të veprimeve të një qeverie/qeverisje”.