back to top
18.5 C
Tirana
E enjte, 16 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetOperacioni i Ramës në pushtetin vendor/ Kush po reziston?

Operacioni i Ramës në pushtetin vendor/ Kush po reziston?

Ndërsa vala e spastrimeve në administratat vendore po përhapet me ritme të shpejta në të gjitha bashkitë e drejtuara nga Partia Socialiste, tre kryebashkiakë vijojnë të qëndrojnë jashtë kësaj fushate reformimi të iniciuar nga Kryeministri Edi Rama.

Bëhet fjalë për kryetarët e bashkive Himarë, Skrapar dhe Konispol, të cilët deri më tani nuk kanë zbatuar urdhrin për dorëheqjen ose shkarkimin e nënkryetarëve, drejtorëve dhe administratorëve të njësive administrative.

Në bashkitë socialiste të vendit, procesi ka nisur menjëherë pas udhëzimit të Kryeministrit, i cili ka kërkuar një “riformatim të thellë” të strukturave vartëse. Qindra dorëheqje dhe shkarkime janë zyrtarizuar, ndërsa në shumë raste janë publikuar njoftime për vende të lira pune, shpesh vetëm për të legjitimuar ndryshimet e paracaktuara.

Por në Konispol, kryebashkiaku Ergest Dule ka dalë hapur kundër vendimit të Ramës. Gjatë një takimi të zhvilluar në Durrës me kryeministrin dhe drejtues të tjerë vendorë, Dule ka kundërshtuar qartë zbatimin e urdhrit, duke u përballur me një reagim të fortë nga Rama, i cili – sipas burimeve – i ka dhënë ultimatum: ose dorëheqje vetë, ose largim i vartësve me çdo kusht.

Në Himarë, kryebashkiaku Vangjel Tavo ka zgjedhur një qasje më të kujdesshme. Ai është shprehur se stafi i tij është i përbërë kryesisht nga të rinj dhe se çdo vendim për ndryshim do të merret mbi bazën e performancës. Megjithatë, ai nuk ka dhënë asnjë sinjal konkret për zbatimin e urdhrit.

Ndërkohë, në Skrapar, drejtuesi lokal Adriatik Mema ende nuk ka ndërmarrë asnjë hap në drejtim të reformimit të stafit, ndryshe nga bashkitë e tjera të qarkut Berat, ku procesi po ecën me intensitet.

Përplasje brenda radhëve të PS-së?
Vendosmëria e Kryeministrit për të pastruar administratën vendore po shihet si një përpjekje për të rikthyer kontrollin politik në territor dhe për të zëvendësuar funksionarët që konsiderohen jo mjaftueshëm besnikë ndaj linjës zyrtare të partisë. Nga ana tjetër, qëndrimi refuzues i disa kryebashkiakëve mund të sinjalizojë tension të brendshëm në radhët e PS-së, dhe ndoshta fillimin e një përplasjeje mes qendrës dhe bazës lokale.

Rreth tre kryetarëve që deri më tani i kanë rezistuar fushatës së spastrimit qëndron tani një pikëpyetje e madhe: a do të përkulen ndaj presionit të Kryeministrit, apo do të sfidojnë vijën politike të tij, me kosto të mundshme politike në të ardhmen?

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat