Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Rajonin Elbasan-Korçë ka ekzekutuar masat e sigurisë personale ndaj një punonjësi policie dhe një shtetasi, të dyshuar për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Vendimi u mor nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Në qendër të hetimeve është inspektori E. P., oficer patrulle në Komisariatin Nr.4 në Tiranë, dhe shtetasi E. D., banues në Tiranë. Ata dyshohet se kanë tentuar të fshehin prova materiale lidhur me ndalimin më 5 korrik 2025 të punonjësit tjetër të policisë E. P., i cili akuzohet për “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Hetimet janë pjesë e operacionit të koduar “Last rent”, që synon goditjen e abuzimeve dhe veprimeve të paligjshme brenda strukturave të sigurisë.
Masat e sigurisë që janë marrë për të dy të dyshuarit përfshijnë “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.