Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur këtë të premte ndryshimin e masës së sigurisë për avokatin Armand Tragaj, duke e zëvendësuar “detyrim paraqitje” me “arrest në shtëpi”.
Vendimi, i marrë nga gjyqtarja Nertina Kosova, erdhi pas shqyrtimit të ankimit të Prokurorisë së Posaçme kundër këtij vendimi në kuadër të hetimeve për dosjen e njohur si “Ura”.
Armand Tragaj është i hetuar për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” në katër episode të ndryshme. Me këtë vendim, ai do të qëndrojë në banesë me ndalim të rreptë për largim nga adresa, deri në përfundim të hetimeve.
Për të pandehurit e tjerë në këtë çështje, Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masat e sigurisë të vendosura më parë nga shkalla e parë.
Operacioni “Ura”, i kryer në bashkëpunim me Antimafian Italiane dhe SPAK, ka zbuluar një organizatë shqiptare që dyshohet për trafikim të kokainës nga Amerika Latine, në bashkëpunim me grupe kriminale italiane.
Vendimi i plotë
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Nertina Kosova, sot, më datë 11.07.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 49 akti, datë 04.07.2025 (regjistrimi), në lidhje me ankimet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe ankimet e personave nën hetim: M.K., R.A., S.T., L.Ç., A.P., E.Z., G.Th., A.H., A.M., me objekt:
“Ankim ndaj vendimit nr. 34, datë 30.04.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: caktimi i masave të sigurimit personal shtrëngues ‘arrest në burg’, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale. Ankim ndaj vendimit nr. 53, datë 23.05.2025, të së njëjtës gjykatë, me objekt:
Verifikimin e kushteve për zbatimin e masës së sigurimit dhe nevojat për masat e sigurimit personal të vendosura për personat nën hetim;
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit ‘arrest në burg’, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për personat nën hetim, të dyshuar për veprat respektive.”
DHE VENDOSI:
Miratimin e vendimit nr. 53, datë 23.05.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për sa i përket personave nën hetim B.M. dhe E.D.
Ndryshimin e vendimit nr. 53, datë 23.05.2025, për personin nën hetim A.T., si më poshtë:
Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, me masën e sigurimit personal shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj A.T., i biri i L. dhe L., i datëlindjes ***, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” (në katër episode), parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal (sipas ligjit penal më të favorshëm, përpara ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021).
Urdhërohet që A.T. të mos largohet nga banesa e tij, e ndodhur në ***.
Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Miratimin e vendimeve nr. 34, datë 30.04.2025 dhe nr. 53, datë 23.05.2025, për personin nën hetim M.K.
Miratimin e vendimit nr. 53, datë 23.05.2025, që konfirmon vendimin nr. 34, datë 30.04.2025, për personin nën hetim R.A.
Miratimin e vendimeve nr. 34, datë 30.04.2025 dhe nr. 53, datë 23.05.2025, për personin nën hetim S.I., alias T.
Miratimin e vendimit nr. 53, datë 23.05.2025, që konfirmon vendimin nr. 34, datë 30.04.2025, për personin nën hetim L.Ç.
Miratimin e vendimeve nr. 34, datë 30.04.2025 dhe nr. 53, datë 23.05.2025, për personin nën hetim A.P.
Miratimin e vendimit nr. 53, datë 23.05.2025, që konfirmon vendimin nr. 34, datë 30.04.2025, për personin nën hetim E.Z.
Miratimin e vendimeve nr. 34, datë 30.04.2025 dhe nr. 53, datë 23.05.2025, për personin nën hetim G.Th.
Miratimin e vendimeve nr. 34, datë 30.04.2025 dhe nr. 53, datë 23.05.2025, për personin nën hetim A.H.
Miratimin e vendimeve nr. 34, datë 30.04.2025 dhe nr. 53, datë 23.05.2025, për personin nën hetim A.M.



