Kuvendi i Shqipërisë po zhvillon këtë të enjte seancën plenare, e cila nisi në orën 10:00, mes debatash të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës.
Gjatë seancës, Partia Socialiste ka rrëzuar kërkesën e parë të opozitës për mocion me debat mbi programin qeverisës për katër vitet e ardhshme. Për mocionin votuan 73 deputetë kundër, duke bllokuar kërkesën e paraqitur nga opozita.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi se kërkesat e opozitës janë të mangëta dhe në kundërshtim me rregulloren. Sipas tij, opozita nuk kërkon debat të vërtetë, por vetëm përplasje politike.
“Nuk pranojmë asnjë kërkesë që bie në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit,” – tha Balla.
Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i bëri thirrje kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, që të japë dorëheqjen, duke argumentuar se në tetë seanca radhazi nuk është zbatuar rendi i ditës sipas rregullores.
“Nëse nuk je në gjendje të zbatosh rendin që vetë ke caktuar, duhet të japësh dorëheqjen,” – u shpreh Shehaj, duke shtuar se tetë seanca janë të mjaftueshme për të provuar aftësinë e tij për drejtimin e Kuvendit.
Në seancë foli edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili e akuzoi Kryeministrin Edi Rama se po vepron si “shërbëtor i Vuçiç” në qëndrimet ndaj Kosovës.
Ndërsa deputeti demokrat Tomor Alizoti u ndal tek mungesa e një rezolute për gjenocidin në Kosovë, duke e quajtur këtë “turp kombëtar”.
“Në program nuk ka asnjë fjalë për Kosovën. Mosmiratimi i një rezolute për gjenocidin është turp për publikun,” – tha Alizoti.
Në fund të seancës, Taulant Balla konfirmoi se Kryeministri Edi Rama nuk do të jetë i pranishëm në marshimin e së premtes për Kosovën, duke theksuar se prezenca e tij do ta politizonte aktivitetin.