Hungaria po përjeton një moment historik politik, pasi kryeministri Viktor Orbán ka humbur zgjedhjet parlamentare, duke i hapur rrugë formimit të një qeverie të re për herë të parë që nga viti 2010.
Fitues i zgjedhjeve u shpall lideri i opozitës, Péter Magyar, me partinë e tij Tisza, duke përmbysur një nga figurat më dominuese të politikës europiane në dekadat e fundit. Edhe pse sondazhet parashikonin një avantazh të opozitës, shumë analistë mbeteshin skeptikë deri në fund, për shkak të kontrollit të gjatë të Orbán mbi institucionet dhe skenën politike.
Për shumë qytetarë, rezultati u perceptua si një “ndryshim regjimi”. Shkrimtari dhe poeti hungarez András Petőcz e krahasoi momentin me rënien e komunizmit. “Isha 30 vjeç kur përfundoi regjimi komunist. Është e njëjta ndjesi,” u shpreh ai, ndërsa mijëra mbështetës ishin mbledhur përgjatë Danubit për të ndjekur rezultatet.
Sipas analizës së CNN, humbja e Orbán shënon kufijtë e modelit populist që ai ndërtoi për më shumë se një dekadë. Fushata e tij, e fokusuar te sovraniteti kombëtar dhe kundërshtimi ndaj Bashkimit Europian, u mbështet paradoksalisht edhe në përkrahjen e aktorëve ndërkombëtarë.
Madje, figura të rëndësishme nga SHBA, si nënpresidenti J. D. Vance, i cili udhëtoi në Budapest për ta mbështetur, dhe vetë ish-presidenti Donald Trump, bënë thirrje publike për votë në favor të Orbán. Megjithatë, këto ndërhyrje nuk arritën të ndikojnë rezultatin.
Analistët theksojnë se një nga arsyet kryesore të humbjes ishte përqendrimi i tepërt i fushatës së Orbán në çështjet e jashtme, ndërkohë që situata e brendshme – ekonomia dhe shërbimet publike – mbeteshin shqetësim për qytetarët. Politologu Ivan Krastev kishte paralajmëruar se Orbán rrezikonte të humbiste pikërisht duke vepruar si një lider i globalizuar, në kundërshtim me retorikën e tij nacionaliste.
Një tjetër element i fushatës ishte krijimi i “armiqve të jashtëm”, duke përfshirë organizatat joqeveritare, Bashkimin Europian dhe madje edhe Ukrainën. Në Budapest u vendosën postera të presidentit Volodymyr Zelensky me mesazhe paralajmëruese, por kjo strategji nuk arriti të bindë një pjesë të madhe të elektoratit.
Në anën tjetër, Magyar u fokusua te problemet e brendshme, duke fituar mbështetjen edhe të votuesve liberalë dhe të majtë, pavarësisht rezervave ndaj profilit të tij konservator. Sipas politologut Péter Kreko, votuesit vendosën të bashkohen rreth një alternative reale, pa kërkuar “perfeksionin”.
Në fjalimin e fitores, Magyar pranoi se sfidat janë të mëdha dhe i bëri thirrje Orbán të lehtësojë tranzicionin e pushtetit pa pengesa. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse qeveria e re do të arrijë të çmontojë sistemin e ndërtuar ndër vite nga Fidesz dhe të rikthejë balancat demokratike në vend.
Zhvillimet në Hungari pritet të ndiqen me vëmendje në Europë, pasi ato mund të shënojnë një precedent të rëndësishëm për të ardhmen e populizmit dhe demokracisë në rajon.



