Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka prezantuar këtë të hënë projektin e ri “OSHEE Charge”, një shërbim i dedikuar për karikimin e mjeteve elektrike, me qëllim nxitjen e përdorimit të energjisë së pastër dhe mbështetjen e zhvillimit të transportit të qëndrueshëm në Shqipëri.
Në ceremoninë e prezantimit morën pjesë Kryeministri Edi Rama dhe Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, të cilët nënvizuan rëndësinë e këtij projekti për tranzicionin energjetik dhe për avancimin e infrastrukturës për mjetet elektrike në vend.
Mesazhet e qeverisë për energjinë e pastër dhe integrimin rajonal
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku theksoi gjatë fjalës së saj se projekti vlerësohet edhe për integrimin rajonal dhe për bashkëpunimin në tregun e përbashkët të Ballkanit Perëndimor.
“Sot OSHEE funksionon si kompania mëmë që merret me të gjithë pjesët administrative të sektorit. Nga ana tjetër, kemi krijimin e kompanive të reja që po forcohen, siç është operatori i energjisë së rinovueshme,” tha Balluku.
Ajo shtoi se integrimi rajonal, përfshirë funksionalitetin e bursës me energji dhe bashkëpunimin në tregun e përbashkët, është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm. Po ashtu, Balluku vlerësoi zhvillimin e burimeve të rinovueshme përmes ankandeve transparente dhe rritjen e pjesëmarrjes private në prodhimin e energjisë së rinovueshme në vend.
Synimet e projektit “OSHEE Charge”
Ky shërbim synon të krijojë pikë karikimi të avancuara për mjetet elektrike në të gjithë vendin, duke ndihmuar qytetarët dhe bizneset të adaptohen më lehtë me transportin elektrik dhe të kontribuojnë në reduktimin e ndotjes dhe emetimeve të karbonit.
Sipas OSHEE-së, projekti do të shërbejë gjithashtu si një model për zhvillimin e infrastrukturës elektrike dhe si një nxitës i përdorimit të teknologjive të gjelbërta në transportin urban dhe rajonal.



