back to top
27.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaPa radhë dhe pa sportele: Detyrimet vendore tani kontrollohen nga telefoni

Pa radhë dhe pa sportele: Detyrimet vendore tani kontrollohen nga telefoni

Bizneset dhe qytetarët e Tiranës mund të kontrollojnë tashmë në kohë reale detyrimet e tyre vendore përmes shërbimit elektronik “Taksat dhe tarifat vendore,  Bashkia Tiranë” në portalin qeveritar e-Albania.

Nëse deri tani ky shërbim përdorej kryesisht nga bizneset, tashmë ai është zgjeruar edhe për qytetarët që zotërojnë njësi tregtare apo pasuri të përdorura për aktivitet ekonomik. Platforma u jep përdoruesve qasje të menjëhershme mbi vlerën e përditësuar të detyrimeve, duke përfshirë penalitetet për pagesat e vonuara.

Detyrimet shfaqen të detajuara sipas vitit, shumës dhe këstit, nga taksa mbi ndërtesën, truallin dhe tokën bujqësore, deri te tarifa e pastrimit, taksa e tabelës apo shfrytëzimi i hapësirës publike.

Përveç transparencës mbi pagesat, shërbimi “Vërtetim likuidimi të taksave dhe tarifave vendore, Bashkia Tiranë” mundëson shkarkimin e një dokumenti zyrtar që dëshmon se subjekti nuk ka detyrime ndaj bashkisë. Ky vërtetim, i nevojshëm për procedura ligjore, administrative apo tregtare, merret menjëherë, pa paraqitje fizike në sportel.

Shërbimet nuk kërkojnë asnjë dokumentacion shoqërues dhe procedura kryhet vetëm me disa klikime nga çdo pajisje e lidhur në internet. Përdoruesit mund të shkarkojnë mandatin e arkëtimit për pagesat e papaguara në çdo moment, duke shmangur burokracitë dhe kursyer kohë.

Me këtë zgjerim të shërbimit, Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë e Tiranës synon të thjeshtojë procedurat, të rrisë transparencën dhe t’u ofrojë bizneseve e qytetarëve një mjet praktik për menaxhimin e detyrimeve dhe sigurimin e dokumentacionit në kohë reale.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat