Gazetari Osman Stafa ka denoncuar një situatë shqetësuese në spitalin e Onkologjikut, duke ngritur alarmin për mungesë shërbimi ndaj pacientëve me kancer.
Përmes një postimi në Facebook, ai bën me dije se pacientë që janë paraqitur për të kryer seancat e planifikuara të kimioterapisë, kanë gjetur dyert e spitalit të mbyllura për shkak të pushimeve, pa u njoftuar paraprakisht.
Sipas Stafës, kjo situatë është e papranueshme, pasi kimioterapia nuk është një procedurë që mund të shtyhet sipas komoditetit të sistemit apo pushimeve zyrtare, por duhet të ndiqet me rigorozitet sipas protokolleve mjekësore.
“Kimioterapia nuk është një procedurë që shtyhet sipas komoditetit të sistemit apo pushimeve zyrtare. Ajo ndiqet sipas intervaleve të sakta, sepse çdo vonesë mund të ndikojë në trajtimin e pacientit,” thekson ai.
Gazetari ngre shqetësimin se pacientët kanë humbur disa ditë trajtimi, duke pyetur retorikisht nëse sëmundja njeh pushim. Ai shton se në një sistem shëndetësor funksional, edhe në ditë pushimi, shërbimet jetike organizohen me staf të reduktuar dhe pacientët informohen në kohë.
Sipas tij, në këtë rast ndodh e kundërta: pacientët nuk njoftohen për ndërprerjen e shërbimit, por vetëm kur mungojnë ilaçet, çka përbën një praktikë të papranueshme si në aspektin shëndetësor, ashtu edhe në atë njerëzor.
Stafa e përmbyll reagimin e tij duke theksuar se bëhet fjalë për pacientë që luftojnë për jetën e tyre, një betejë që nuk njeh pushim.



