Pas tensioneve të forta mes aksionerëve të Aeroportit të Vlorës, biznesmeni Behgjet Pacolli ka vendosur të shkarkojë nga detyra administratorin e kompanisë koncesionare “Vlora International Airport”, Valon Lluka.
Vendimi është marrë dy ditë më parë, vetëm me votat e shoqërisë Mabco Construction, e cila kontrollohet nga Pacolli. Në mbledhje nuk ka qenë i pranishëm aksioneri i minorancës, kompania 2A Group.
Aeroporti i Vlorës është përfshirë në një skandal publik, pasi dy ortakët janë përplasur ashpër për pronësinë e aksioneve. Zyrtarisht, 2A Group zotëron vetëm 2% të aksioneve, por kompania pretendon se i takojnë 47%, bazuar në një marrëveshje të fshehtë të vitit 2022, e bërë publike nga gazetari Mero Baze.
Ky pretendim hidhet poshtë nga Mabco Construction, e cila mban 98% të aksioneve. Debati shpërtheu pas një investigimi të Kapitalit, që Pacolli fillimisht u përpoq ta përgënjeshtronte, por vetëm një orë më pas u përball me akuza të drejtpërdrejta nga Valon Ademi, përfaqësues i 2A Group, i cili e quajti atë “mashtrues”.
Ende nuk është e qartë nëse shkarkimi i Valon Llukës lidhet drejtpërdrejt me këtë konflikt mes ortakëve. Megjithatë, përplasja mes Pacollit dhe Ademit po krijon probleme serioze për ecurinë e projektit të aeroportit, të cilin kryeministri Edi Rama kishte premtuar se do të hapej për sezonin turistik të këtij viti.