Bashkitë e vendit do të kenë në dispozicion 97,7 miliardë lekë gjatë vitit 2025, nga 90 miliardë lekë që ishte shuma e parashikuar aktualisht. Qeveria do të japë pak më shumë se 46 miliardë lekë për njësitë e pushtetit vendor, ndërsa pjesën tjetër duhet ta sigurojnë vetë.
Shoqatat dhe disa kryetarë bashkish kanë kërkuar rritje të fondeve në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat.
Adelina Farrici, Drejtoreshë e Shoqatës për Autonominë Vendore, tha se fondet aktuale janë të pamjaftueshme për detyrat e qeverisjes lokale. Ajo sugjeroi rritjen e përqindjes së transfertave të pakushtëzuara dhe vazhdimin e grantit të performancës, duke theksuar nevojën për një rishikim të formulës aktuale, pasi kanë kaluar 10 vite nga reforma territoriale.
Ndërsa Fisnik Qosja, kryetar i Bashkisë Kavajë, kërkoi krijimin e një fondi të veçantë për bashkitë rurale dhe malore, duke argumentuar se territorët e gjerë, dendësia e ulët e popullsisë dhe kostot e larta të infrastrukturës kërkojnë instrumente financiare të dedikuara.
Problemi i kryebashkiakëve mbetet edhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura. Ilir Xhakolli, kryetar i Bashkisë Pogradec, bëri me dije se bashkia ka trashëguar 6 milionë euro borxh nga koha e ish-komunave dhe kërkoi mbështetje nga qeveria për një grant që do të ndihmonte në shlyerjen e tyre. Shoqata për Autonominë Vendore propozoi gjithashtu që bashkitë të përfitojnë nga “Paqja Fiskale” për fshirjen e borxheve më të vjetra se 10 vite.
Fonde shtesë janë kërkuar edhe për përballimin e emergjencave civile, duke marrë parasysh shtimin e fatkeqësive natyrore. Oltion Çaçi, kryetar i Bashkisë Sarandë, theksoi se zjarret dhe përmbytjet e fundit kanë rritur nevojën për mbështetje financiare në këtë sektor.
Sa i përket shpërndarjes së fondeve sipas popullsisë, Tirana do të marrë më shumë se 6,5 miliardë lekë, e ndjekur nga Durrësi me 2,5 miliardë, Elbasani 1,8 miliardë dhe Shkodra 1,7 miliardë lekë. Bashkitë Fier, Vlorë, Kamëz, Korçë dhe Lushnjë gjithashtu do të përfitojnë pjesë të konsiderueshme të buxhetit.
Në fund, bashkitë më të vogla si Pusteci, Libohova, Konispoli, Këlcyra dhe Dropulli do të marrin më pak fonde, me Pustecin që do të marrë vetëm 124 milionë lekë.



