Pagesat me kartë bankare në Shqipëri po shënojnë një rritje të shpejtë, madje për herë të parë numri i tyre ka kaluar tërheqjet e parasë cash në ATM.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në gjashtë muajt e parë të vitit janë regjistruar rreth 12.57 milionë pagesa me kartë në terminalet POS, duke shënuar një rritje prej 42% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Nga 100 veprime me kartë, 52 janë pagesa në terminalet e shitjes, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga tërheqje apo depozitime cash. Vlera totale e pagesave me kartë ka arritur në 48.3 miliardë lekë, me një rritje prej 11% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa pjesa e tyre në vlerë monetare ka arritur 17.4% të totalit të veprimeve me kartë.
Rritja shpjegohet jo vetëm nga turistët e huaj, por edhe nga përdorimi në rritje i kartave nga rezidentët pas pandemisë. Në mesin e vitit 2024, numri i terminaleve POS ka arritur 27,969, me një rritje prej 28.4% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa numri i kartave aktive ka arritur 1.57 milionë, duke u rritur me 6%.
Sektori i turizmit, zgjerimi i bazës së bizneseve që pranojnë kartë dhe mbështetja e operatorëve globalë si Mastercard kanë ndikuar në këtë rritje. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë vlerësojnë se rritja e pagesave me kartë është një sinjal pozitiv për uljen e përdorimit të parasë cash, duke kontribuar në formalizimin e ekonomisë.