Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka reaguar këtë të premte pas disa deklaratave të qarkulluara në media, duke mohuar kategorikisht se ndonjë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) është nën hetim, vëzhgim apo përgjim. Institucioni e cilësoi këtë informacion si të pavërtetë dhe të bazuar në spekulime.
Në njoftimin zyrtar, SPAK thekson se nuk ka kryer asnjë veprim hetimor që mund të synonte apo të perceptohej si përpjekje për të ndikuar, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë, në vendimmarrjen e KLP-së. Po ashtu, SPAK deklaron se nuk ka ndërhyrë dhe as nuk ka tentuar të ndërhyjë në ndonjë proces zgjedhor apo procedurë të zhvilluar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Sipas institucionit, çdo informacion i kundërt është “spekulim i pastër”, i pambështetur në fakte apo në ndonjë praktikë reale hetimore. SPAK e konsideroi përhapjen e këtyre pretendimeve si një përpjekje për të keqinformuar publikun dhe për të cenuar imazhin e institucionit që ka në fokus luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Reagimi i plotë i SPAK-s:
“1. Asnjë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk është objekt hetimi, vëzhgimi apo përgjimi nga Prokuroria e Posaçme.
2. SPAK nuk kryen dhe nuk ka kryer asnjë veprim hetimor që synon drejtpërdrejt apo tërthorazi, të ndikojë apo të intimidojë vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe aq më pak të ndërhyjë në procese të caktuara zgjedhore.
Deklarimet e bëra në media përbëjnë spekulim të pastër, të pambështetur në realitetin ligjor apo në praktikën hetimore të Prokurorisë së Posaçme. Çdo deklaratë e pabazuar në fakte dhe e mbështetur në spekulime mbetet në kuadrin e retorikës së pakonfirmuar, në përpjekje për të keqinformuar publikun dhe për të dëmtuar Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.”
SPAK u bëri thirrje mediave të verifikojnë informacionin përpara publikimit, duke theksuar se transparenca e saktë është jetike për ruajtjen e besimit të publikut në institucionet e drejtësisë.



