Kryeministri Edi Rama mblodhi të enjten të gjithë kryetarët e bashkive për të diskutuar mbi Paketën e Maleve, një ligj që synon zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në zonat malore.
Gjatë takimit, Rama nuk i kurseu kritikat ndaj kryetarëve të bashkive, të cilët, sipas tij, janë vonuar me dorëzimin e hartave me zonat prioritare ku mund të aplikohet paketa.
Ai bëri të qartë se 500 personat e parë që shfaqin interes për të investuar nuk do të paguajnë asnjë taksë për 10 vjet:
“Jo vetëm duhen bërë urgjent hartat, por duhet ngritur një task force me 3 persona në bashki që t’u rrinë gati personave që shprehin interesin. 500 të parët që do marrin kontratën, 10 vjet nuk do paguajnë asnjë lloj takse, por duhet t’i ndihmoni të jenë tek 500 të parët. Ministri i Pushtetit Vendor po përgatit draftin, ndërsa ministrja po përgatit ato dy kritere që do vlejnë: e para, sa do kontribuosh në rritjen ekonomike të vendit; nuk mund të jenë të gjithë konsumatorë, por edhe kontributorë. Nuk do vazhdohet vetëm me taksat e qytetarëve, por edhe me krijimin e të ardhurave të tjera, dhe bashkitë duhet të jenë pararojë për të krijuar të ardhura ekonomike. Ky është një instrument që ndikon në rritje vendore dhe kombëtare,” – tha Rama.
Paketë e Maleve synon të stimulojë investimet private në zonat malore, duke ofruar lehtësira fiskale dhe mbështetje administrative për investitorët e parë, si dhe të përshpejtojë zhvillimin ekonomik lokal dhe rritjen e punësimit.



