Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka bëri të ditur sot se Komiteti Ekzekutiv i Unionit Ndërparlamentar (IPU), organizata më e madhe ndërkombëtare ku përfaqësohen 181 parlamente nga e gjithë bota, ka marrë vendim që të dërgojë një mision faktmbledhës në Shqipëri për shkeljen e të drejtave të njeriut në rastin e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Paloka informoi se “nga 30 tetori i vitit të shkuar Unioni Ndërparlamentar (IPU), nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm i ka kërkuar Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë të pranojë një mision faktmbledhës për çështjen e përndjekjes së liderit të opozitës Sali Berisha”
“Pas më shumë se dy muajsh Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë nuk ka denjuar as t’i kthejë përgjigje Sekretarit të Përgjithshëm të IPU-së që është dhe funksionari më i lartë i Unionit. Është e qartë që kemi të bëjmë me një qëndrim politik të urdhëruar nga Rama, autori dhe ekzekutori i përndjekjes politike të Sali Berishës! Kryetarja e Parlamentit nuk do të guxonte të mbante një qëndrim të tillë ndaj organizatës më të madhe botërore parlamentare pa qenë urdhëruar nga shefi i saj politik”, u shpreh Paloka në një konferencë për medie nga selia e Kuvendit.
Në cilësinë e anëtarit të delegacionit shqiptar në IPU, Paloka informoi se bashkë me anëtarë të tjerë të delegacionit janë thërritur në seanca pyetjesh prej Komitetit të të Drejtave të Njeriut për Parlamentarët në Unionin Ndërparlamentar.
Ky komitet, sipas tij, “shqyrton me përparësi pikërisht shkeljen dhe abuzimet e rënda me të drejtat e deputetëve në të gjithë shtetet e botës”.
“Si zbatim të këtyre detyrave dhe kompetencave Komiteti ka marrë në shqyrtim dhe çështjen e shkeljes flagrante dhe persekutimit politik ndaj liderit të opozitës shqiptare Sali Berisha. Në këtë kuadër Komiteti i të Drejtave të Njeriut për Parlamentarë ka informuar Komitetin Ekzekutiv, organin më të lartë ekzekutiv të IPU, lidhur me çështjen e Sali Berishës dhe Komiteti Ekzekutiv ka marrë vendim që të dërgojë një mision në Shqipëri për këtë çështje”, theksoi Paloka.
Paloka theksoi se “në kaq vite, ky është rasti i parë që IPU detyrohet të shqyrtojë një çështje që ka të bëjë me shkelje dhe abuzim të rëndë me të drejtat e deputetëve të një parlamenti evropian”.
“Përveç disa rasteve në Rusi dhe Turqi të cilat nuk janë vende kandidate për në BE, të gjitha rastet e tjera të shkeljeve të të drejtave të deputetëve iu përkasin vendeve të Afrikës. Pas rezolutave të njëpasnjëshme të EPP, IDU dhe ICD të cilat dënojnë ashpër regjimin e Ramës dhe i japin mbështetje të plotë opozitës shqiptare dhe liderit të saj Sali Berisha në përpjekjet për rrëzimin e regjimit dhe rikthimin e demokracisë në Shqipëri, shqyrtimi i shkeljes së të drejtave të njeriut nga një organizatë globale si IPU është një goditje që Rama po përpiqet ta shmangë e ta fshehë nga opinioni publik. I mësuar për vite të tëra të blejë influenca dhe mbështetje nga McGonigal-ët nëpër botë, tani që është demaskuar dhe është vënë në shënjestër nga institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare”, tha Paloka.